Ministri i MPMS-së z.Nenad Rashiq, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tij, mbajti konferencën përmbyllëse të fundvitit duke i përmendur të gjitha të arriturat që janë bërë në vitin 2013 dhe shkurtazi paraqiti disa nga objektivat dhe synimet e kësaj ministrie për vitin 2014. Më poshtë do të gjeni raportin e të arriturave për vitin 2013:
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, edhe gjatë vitit 2013 ka qenë e angazhuar maksimalisht në zbutjen e papunësisë, konform mundësive ekzistuese. Bazuar në buxhetin e saj, është dhënë maksimumi në zbutjen e problemeve sociale, duke ofruar shërbime dhe trajnime për punëkërkuesit, me qëllim të profilizimit për tregun e punës. Është punuar poashtu në legjislacion, në fushën e luftimit të ekonomisë joformale, në përkujdesjen e qytetarëve me nevoja të veçanta, ndërkohë që janë ofruar shërbime edhe për pensionistët në kuadër të legjislacionit në fuqi.
Duke u mbështetur në rëndësinë e legjislacionit, veçmas për fushën e punësimit dhe çështjeve sociale, gjatë vitit 2013, MPMS-se, në pajtim me Programin Legjislativ të vitit 2013, ka hartuar dhe proceduar për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës këto projektligje: Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë, i cili është miratuar dhe është shpalle në Gazetën Zyrtare, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësim, riaftësim dhe punësimin e personave me atësi të kufizuar, (ndodhet në qeveri); Projektligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, (është miratuar në leximin e parë nga Kuvendi dhe gjendet në komisione parlamentare); Projektligji për Agjencinë e Punësimit në Republikën e Kosovës (është në procedurë parlamentare).
Gjithashtu këtë vit është miratuar Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Përveç ligjeve të miratuara në Kuvend MPMS, ka përcjell në Qeverinë e Republikës së Kosovës për miratim, koncept dokumentin për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligji për Këshillin Ekonomiko Social si dhe koncept dokumentin për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të verbër.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të punës është hartuar dhe finalizuar së bashku me të gjitha dokumentet përcjellëse, ka kaluar të gjitha procedurat e parapara dhe pritet te dërgohet në qeveri.
Përveç ligjeve të miratuara në kuvend dhe atyre të hartuara dhe të proceduara për shqyrtim në Qeverinë e Republikës së Kosovës, janë miratuar edhe gjashtëmbëdhjetë akte nënligjore.
Realizimi i politikave të punësimit dhe masat aktive të tregut të punës edhe këtë vit ka vazhduar përmes shtatë qendrave regjionale për punësim me njëzet e tri (23) Zyra Komunale për Punësim. Gjatë vitit 2013 është bërë regjistrimi i 14 231 punëkërkuesve, prej tyre 6 783 femra, janë ç’regjistruar 7003 punëkërkues, janë gjetur (incizuar) 5 773 vende të lira të punës, ndërsa është ndërmjetësuar në punësim te 3 871 punëkërkues, ndërkohë ka përfunduar edhe ndërtimi i dy zyrave komunale të punësimit në Vushtrri dhe Drenas.
MPMS-ja, edhe këtë vit, në bashkëpunim të ngushtë me UNDP-në, LUX-Devolopment-in, Zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, Bankën Botërore, Aleancën Kosovare të Biznesit, MBPZhR, komunat e partnerë tjerë, ka zhvilluar një sërë projektesh, ku në realizimin e këtyre projekteve janë angazhuar 3 871 punëkërkues, përfshirë këtu edhe të punësuarit përmes projektit “Kosova e Bukur”.
Në këtë kontekst, me qëllim të gjetjes së punës më lehtë, MPMS përmes mekanizmave të vet, ka organizuar trajnime për punëkërkuesit. Gjatë këtij viti (2013), në trajnime janë përfshirë 2 961 punëkërkues. Kurse të certifikuar sipas qendrave për aftësime profesionale, brenda kësaj periudhe, janë 2659 kandidatë. Përmes projektit Kosvet VI deri në fund të shtatorit 2013 janë trajnuar në punë 1 129 kandidatë.
Në aspektin e mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit të punës, Ligjit për siguri dhe shëndet në punë si dhe ligjeve dhe akteve tjera nënligjore, të cilat rregullojnë lëmin e punës, punësimit, sigurisë dhe shëndetit në punë, nga ana punëdhënësve dhe punëtorëve, Inspektorati i Punës në vazhdimësi ka inspektuar subjektet si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat. Gjatë vitit 2013 janë kryer 7 921 inspektime në subjekte punuese në të dy sektorët, nga të cilat 4 933 inspektime janë ushtruar për herën e parë. Vërejtje me shkrim janë shqiptuar ndaj 1 503 subjekteve punuese. Duke u ndërlidhur me rezultatet e inspektoratit vlen të përmendet se është arritur të legalizohen 284 subjekte punuese, të cilat kishin ushtruar veprimtari pune pa e regjistruar biznesin si dhe janë formalizuar 3 137 punëtorë, të cilët kanë punuar pa kontrata të punës. Janë inspektuar 54 raste të aksidenteve në punë, në të cilat 17 punëtorë kanë humbur jetën dhe 34 kanë pësuar lëndime të rënda. Poashtu MPMS, pas miratimit të Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, me synim të senzibilizimit të punëdhënësve dhe punëtorëve, lidhur me obligimet dhe përgjegjësitë e tyre karshi ligjit, ka organizuar fushatë mediale, por edhe takime të përbashkëta me punëdhënësit, përfaqësuesit e punëdhënësve, punëtorëve dhe përfaqësuesve të punëtorëve
Në kuadër të përgjegjësive të veta MPMS, vazhdon përkushtimin ndaj qytetarëve me nevoja të veçanta pa dallime etnike, fetare, gjinore e racore, nga fëmijët e deri tek të moshuarit pa përkujdesje familjare.
MPMS ka vazhduar me ofrimin e shërbimeve për strehim familjar për fëmijë që nuk kanë lidhje farefisnore dhe realizimi i strehimit familjar të fëmijëve pa përkujdesje prindëror. Gjithashtu ka vazhduar zbatimi i skemës për mbështetje të familjeve që kanë fëmije me aftësi të kufizuar të përhershme prej 1-18 vjet, ku kanë përfituar rreth 3000 familje nga 100 euro në muaj. Në fushën e bashkëpunimit me OJQ-të, janë ofruar shërbimet të përbashkëta si pjesë e bashkëfinancimit me 6 strehimore regjionale për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, një strehimore për mbrojtje të viktimave të trafikimit dhe një OJQ-e për mbrojtjen e fëmijëve të abuzuar dhe keqtrajtuar, për të cilat MPMS si pjese e marrëveshjeve për bashkëfinancim dhe blerje të shërbimeve për vitin 2013 ka shpenzuar rreth 240,000.00 euro.
MPMS ka ofruar ndihmë sociale për familjet që i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret që parashihen me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë Skemën e Ndihmës Sociale. Në janar të vitit 2013 në SNS kanë qenë 31.248 familje, me 133.318 anëtarë të familjeve, ndërsa në nëntor të këtij viti në SNS kanë qenë 29.633 familje me 122,986 anëtarë të familjes.
MPMS ka ofruar 243 ndihma emergjente, të cilat jepen për raste në situata të jashtëzakonshme ku janë dhënë 31 800 €.
Në bashkëpunim me MF-KEK-ut gjatë periudhës së parë të vitit 2013 është bërë subvencionimi i energjisë elektrike për 21.860 familje në SNS dhe 11.520 familje në Skemën e FDIL-ës. Nga të dy skemat janë subvencionuar gjithsej 33.380 në sasi mesatare prej 238 KW/h apo 11.22 € në muaj.
Është ofruar përkujdesje dhe trajtim rezidencial për klientët e moshuar pa përkujdesje familjare dhe për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara mendore në dy institucione, dhe në 9 shtëpi të komunitetit. Numri aktual i fëmijëve dhe personave të rritur me aftësi të kufizuar si dhe i personave të moshuar nënë përkujdesje 24 orë është 255 klientë.
Gjatë këtij viti është bërë kompensimi për punë të natës, vikendeve dhe gjatë festave për punëtorët që punojnë me ndërrime në institucione dhe në shtëpi të komunitetit.
Si pjesë e realizimit të projektit të financuar nga fondet e IPA-s të Komisionit Evropian, MPMS ka bashkëpunuar me OJQ-në One to One Kosova, për ofrimin e shërbimeve të fëmijëve me aftësi të kufizuar nëpër 5 qendra regjionale.
MPMS, në kuadër të veprimtarisë së vetë, ka vazhduar suksesshëm operacionlaizimin e politikave të saj. Me këtë rast janë realizuar gjashtë skemat ekzistuese të pensioneve në Kosovë (Pensionet bazike, kontributeve, të aftësisë së kufizuar, të pensionistëve “Trepça”, atë të ish-pjesëtarëve të TMK-së dhe të FSK-së).
Në skemën e pensionit bazë, apo të pleqërisë, aktualisht janë 116.516 pensionistë. Shuma e paguar për këtë kategori ka qenë 87. 417. 410 euro.
Në skemën e pensioneve kontribut-pagues janë 35. 829 pensionistë, kurse shuma për 2013 ka qenë 49.452.061 euro.
Numri i shfrytëzuesve të pensioneve për personat me aftësi të kufizuara është 18. 599 persona. Shuma e paguar për këtë kategori ka qenë 14.746.370 euro.
Vlen të theksohet se vlera e pensioneve kontribut pagues nga 1 janari 2013 është ngritur në lartësi 40 %, ndërsa Pensionet Bazë dhe Pensionet e Aftësisë së Kufizuar nga 1 janari 2013 janë ngritur në vlerën 33,3%.
Në skemën e pensioneve të parakohshme “Trepça” aktualisht janë 3.771 shfrytëzues. Shuma e paguar ka qenë 3.058.800 euro.
Numri i shfrytëzuesve të ish-pjesëtarëve të TMK-së është 794, kurse janë paguar 1.629.298 euro.
Për 99 ish-pjesëtarë të FSK-së janë paguar pensionet në vlerë prej 210. 217 euro.
Gjatë vitit 2013, grupi punues për ripërtëritjen e marrëveshjeve sipas konventave të vazhdueshme ndërkombëtare të sigurimit pensional invalidor, ka zhvilluar negociata të vazhdueshme me zyrtarët kompetent të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Në këtë aspekt është mbajtur edhe një takim ministror me Turqinë për zgjerimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Ndërkaq, pas një periudhe të negocimit dhe bashkëpunimit të ngushtë R.e Maqedonisë dhe R. e Malit të Zi, në këtë vit, janë nënshkruar dy marrëveshje në sferën e pensioneve. Këto marrëveshje konfirmojnë periudhat e sigurimit për realizmin e të drejtës në pension për të gjithë ata që kanë punuar në shtetin e Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Të drejtën në pensione nga skema e DFDIL-së, e kanë realizuar gjithsej 13,183 përfitues. Shuma e mjeteve të shpenzuara për këto kategori është 27,891,319.63 €.
Është bërë pagesa e 7 OJQ-ve nga muaji janar deri ne dhjetor në shumën 106,800.00 €.
Të drejtën për rehabilitim në Banjën e Pejës , Kllokotit dhe banjen Nëna Naile e kanë realizuar 118 anëtarë të familjeve të dëshmorëve, 221 Invalidë të luftës 170 veteranë, 98 ish të burgosur politik (gjithsej 603 ), ku për këtë qëllim janë ndarë mjete në shumën prej 115,330 € .
Përveç pensioneve përfituesit e skemës kanë realizuar edhe këto beneficione ;
Lirim nga shpenzimet e energjisë elektrike ne shumën 1,790,130.87€ për 11,519 familje, lirim nga shpenzimet e doganimit të veturave për 235 Invalidë të luftës.
Për vitin 2014 MPMS, si objektiva të saja ka vënë, avancimin e legjislacionit nga fusha e punës dhe politikave sociale, rritjen e punësimit dhe zhvillimin e shkathtësive për punëkërkuesit, rritjen e cilësisë së shërbimeve sociale dhe realizimi i të gjitha skemave konform legjislacionit ekzistues.