Ministri Abrashi viziton fabrikën “Buka”

Përmes lehtësirava fiskale të parapara me programin e Qeverisë së Kosovës, do të ndihmojmë kompanitë kosovare të zgjerojnë investimet dhe të krijojnë vendet të reja të punës. Kështu tha Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi i cili i shoqëruar nga Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka vizitoi Fabrikën “Buka” e cila funksionon në kuadër të kompanisë Meridian Corporation.

Ministri Abrashi tha se Qeveria e vendit ka për synim që përmes lehtësirave fiskale dhe krijimit të fondit të punësimit dhe investimeve të mbështesë ndërmarrjet kosovare të cilat kanë potencial që të krijojnë vende të punës dhe të rrisin prodhimtarinë vendore. Ai tha se shembujt si fabrika “Buka” që kanë zgjeruar aktivitetet e tyre në kohë të paqëndrueshmërisë financiare globale tregojnë se megjithatë Kosova ofron një mjedis të përshtatshëm për të bërë biznes.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka kërkoi edhe një herë nga institucionet e vendit që urgjentisht të fuqizojnë legjislacionin i cili do të mundësonte pushime tatimore dhe lehtësira të tjera fiskale, duke mundësuar kështu forcimin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të reja.

Me këtë rast Agon Gashi, njëri nga pronarët e kompanisë Meridian Corporation tha se kjo ndërmarrje, si njëra ndër ndërmarrjet e para private në Kosovë, ka qenë vazhdimisht e orientuar në krijimin e vendeve të reja të punës, duke shtuar se dëshmia më e mirë janë mbi 500 punonjës të kësaj kompanie. Gashi tha se Fabrika “Buka” si investim i plotë kosovar ka filluar të realizohet si projekt në vitin 2011, derisa furra e parë është hapur në vitin 2012. Më tej ai shtoi se “Buka” prodhon mbi 20 lloje të bukëve dhe pjekurinave të tjera, ndërsa ka rreth 70 të punësuar, në gjithsejtë shtatë pika të shitjes anembanë Kosovës. Gashi tha se falë një granti të Komisionit Evropian “Buka” po planifikon të rrisë kapacitetet e saja të prodhimit duke premtuar punësimin edhe të 20 personave të tjerë në të ardhmen e afërt.