Ministri Abrashi fton nxënësit në forcimin e njohurive praktike dhe profesionale

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi, së bashku me zv/ministren e kësaj ministrie znj. Rita Hajzeraj kanë zhvilluar sot një takim të veçantë në shkollën fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë, ku u pritën nga drejtoresha e kësaj shkolle znj. Valbona Kastrati. Abrashi dhe Hajzeraj u njoftuan së afërmi me kushtet, gjendjen dhe kuadrot profesionale të kësaj shkolle.

Gjatë takimit drejtoresha e shkollës, znj. Kastrati kë bërë të ditur se përkundër vështirësive që hasin, në këtë shkollë ka kuadro profesionale dhe se ekziston një vullnet i mirë dhe përkushtim i madh në punë. Në këtë takim u diskutua edhe për vështirësitë që për shkak të mungesës së laboratorëve në shkollë, për çka stafit të shkollës i imponohet të bëjnë edhe improvizime, me qëllim që, përveç teorisë të bëhet edhe puna praktike.

Në vazhdim Grupi Profesional i nxënësve të kësaj shkolle i prezantoi ministrit një hulumtim të bërë nga vet ata me temën “ Migrimi”, duke sensibilizuar kështu edhe opinionin e gjerë dhe nxënësit e shkollave tjera si vetëdijesim për gjendjen e tanishme në vendin tonë.

Ministri Abrashi përkundër temës së ndjeshme që u trajtua, u nda i kënaqur me aftësitë prezantuese të këtyre fëmijëve duke i inkurajuar ata të vazhdojnë me hulumtime të ndryshme edhe për fusha tjera. Ministri Abrashi premtoi se ata do ta kenë përkrahjen e ministrisë që ai drejton edhe mëtutje.