Ministri Abrashi thekson rëndësinë e forcimit të koordinimit dhe bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Qeverisë

Në vazhdën e veprimeve që kanë për qëllim forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit ndër-institucional, në veçanti Kuvendit dhe Qeverisë, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi, së bashku me zv/ministren znj. Rita Hajzeraj-Beqaj pritën në takim Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione të drejtuar nga Znj. Lirije Kajtazi. Me qëllim të avancimit të drejtave të njeriut në këtë takim u diskutuan çështje që lidhen me intensifikimin e veprimeve të nevojshme në zbatim të ligjeve që prekin persona me aftësi të kufizuara, dhe grupe të cenuara.

Anëtarët e Kuvendit theksuan rëndësinë që të gjithë qytetarët përfitues nga këto skema, të mund të gëzojnë të drejtat e tyre në mënyrë efikase ashtu siç parashihet me legjislacion. Në këtë drejtim, Ministri Abrashi theksoi që në kuadër të veprimeve të para të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është përkushtimi i pa kompromis dhe eliminimi i mundësive që të ketë përfitues të cilët nuk plotësojnë kriteret.

Sipas Abrashit, përfitimi i pa mbështetur në kritere kërkon korrigjim të shpejtë, dhe se në këtë mënyrë do të kursehen mjete buxhetore të cilat pastaj do të shfrytëzoheshin për masa tjera në dobi të përfituesve aktual, apo dhe përfituesve të rinj të cilët plotësojnë kriteret ligjore.

Ishte konstatim i përbashkët i Ministrit dhe anëtarëve të Komisionit që në kuadër të agjendës legjislative, si dhe veprimeve tjera institucionale, të sigurohet që të arrihet përmirësim të politikave dhe legjislacionit që avancon pozitën e të gjitha grupeve sociale, si dhe të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë mes Komisionit dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.