Reagim

Pas publikimit të shkrimit në të përditshmen “Zëri”, më 10.12.2013 dhe një ditë më vonë edhe në të përditshmet “Koha Ditore” dhe “Lajm”, por edhe në disa portale online, ku bëhet fjalë për raportin e OJQ-së “Instituti për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim të Rinisë”-ISDY, me titull “Prapa dyerve të mbyllura në Shtime”, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale konsideron se ky raport është i pa argumentuar dhe nuk ka të bëjë fare me gjendjen faktike që ekziston në Institutin Special në Shtime, ku strehohen klientë me retardime të lehta mendore. Opinioni duhet ta dijë se në Shtime ekziston Instituti Special, që drejtohet nga MPMS-ja dhe Qendra për Integrim dhe Rehabilitim të të Sëmurëve Kronik dhe Psikiatrik e cila qendër drejtohet nga Ministria e Shëndetësisë.
Ekipi i ISDY-së ka qëndruar vetëm një ditë të vetme në Institutin Special të Shtimes dhe atë prej orës 10:00 deri në orën 13:00 dhe është për t’u habitur se si ISDY-ja vetëm për tri orë monitorimi vijnë te konstatimi se trajtimi i klientëve në Shtime është “formë e trajtimit çnjerëzor dhe degradues”.
Instituti Special i Shtimes, në vazhdimësi monitorohet nga organizata të ndryshme që merren me çështjen e të drejtave të njeriut si KMDLNj, QKRMT etj. dhe pothuajse të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet që kanë ardhur nga këto organizata, menaxhmenti i ISSh i ka implementuar me kohë dhe në vazhdimësi bëhen përpjekje maksimale për përmirësimin e kushteve të jetesës në këtë institut.
Gjithashtu të gjithë klientët e ISSh-së janë nën përkujdesje të përhershme mjekësore dhe marrin rregullisht barna që u caktohen.
Janë të paqëndrueshme konstatimet e ISDY-së kur thuhet se “nuk ka salla… dhe njerëzit e kalojnë ditën duke bredhur në oborr”sepse në ISSh ekzistojnë tri salla për zhvillimin e aktiviteteve ditore për rezidentët ku zhvillohet aktivitete të lira si në pikturim, thurje në tapiceri, skulpturë përmes gdhendjes së drurit e aktivitete tjera.
Poashtu të paqëndrueshme janë edhe konstatimet e kësaj OJQ-je për abuzimin fizik dhe seksual të rezidentëve, së paku sa i përket ISSh-së.
Ky raport i ISDY-së nuk përkon me realitetin dhe është i papranueshëm për MPMS-në.