Njoftim për media

Prishtinë, më 19.11.2015

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) përmes këtij njoftimi njofton të gjithë veteranët e luftës së UÇK-së, të cilët kanë aplikuar për realizimin e pensionit sipas Ligjit Nr. 04/1-261 për veteranët e UÇK-së, ku përcaktohen të drejtat dhe beneficionet për këtë kategori dhe për anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre se veterani luftëtar i UÇK-së realizon pensionin personal të veteranit luftëtar i UÇK-së sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj.

Veterani luftëtar i UÇK-së nuk mund të jetë shfrytëzues i asnjë pensioni tjetër nga skemat pensionale të financuara nga shteti. Në rast se veterani është shfrytëzues i ndonjë skeme pensionale në Republikën e Kosovës, duhet të përcaktohet se cilin pension dëshiron të shfrytëzoj.

Të gjithë ata veteranë që janë të punësuar në sektorin publik apo privat  nuk kanë të drejtë të përfitimit të pensionit të veteranit të UÇK-së.

Në rastet kur veterani aplikon për pension personal të veteranit, por është shfrytëzues në ndonjërën nga skemat tjera pensionale,  nënkupton se veterani është përcaktuar me vullnetin e tij personal dhe nëse i plotëson kriteret e parapara me ligjin e lartcekur dhe sipas U.A 01/2015, atij ose asaj do t’i ndërpritet pensioni tjetër dhe do të shfrytëzoj vetëm pensionin personal të veteranit të UÇK-së.