Ministri Reçica mbanë konferencën e fundvitit për media

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skender Reçica, ka mbajtur konferencën e fundvitit për media ku ka shpalosur të arriturat e deritashme të MPMS-së dhe ka shpalosur objektivat kryesore të kësaj ministrie për vitin e ardhshëm.
Në vazhdim po e sjellim fjalimin e plotë të ministrit Reçica që e mbajti para përfaqësuesve të mediave dhe të pranishmëve tjerë në këtë ceremoni:
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Të nderuar të pranishëm!
Më lejoni fillimisht të ju falënderoj për bashkëpunimin përgjatë këtyre muajve, që nga marrja e detyrës në krye të MPMS-së, dhe mbi të gjitha për raportimin tuaj korrekt dhe profesional.
Gjatë kësaj periudhe kam vendosur prioritetet, të cilat kanë qenë imediate për të krijuar kushte në përmbushjen e obligimeve ligjore dhe në përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës, andaj dëshiroj të ndaj me ju disa nga rezultatet e  prekshme për këto ditë të punës sime si ministër i MPMS-së.
• Kam shfuqizuar vendimet e më hershme,  të cilat kanë qenë të padrejta, dhe me këtë rast kanë mohuar realizimin e të drejtës së aplikimit për pensione për familjet e dëshmorëve, viktimave civile, invalidëve civil dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, sikur edhe vendimin për ndërprerjen e punës së Komisionit Mjekësor për vlerësimin e shkallës së invaliditetit së invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendime këto që kanë shkelur të drejtat e këtyre kategorive  të përcaktuara me ligj.
• Tashmë kemi formuar komisionin mjekësor për vlerësimin e shkallës së invaliditetit të invalidëve të UÇK-së dhe shumë shpejtë ky komision do t’i trajtoj edhe rastet e para dhe me këto vendime u është  krijuar mundësia që përfituesit e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, të aplikojnë për të realizuar të drejtat e tyre sipas legjislacionit në fuqi.
• Zvarritja, pa ndonjë arsye për shumë vite, e vendimit për kompensimin e viktimave  të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë tanimë ka marrë zgjidhje dhe komisioni qeveritar  për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale shumë shpejt do të trajtoj edhe aplikacionet e para.
• Është adresuar çështja e pensioneve të dyfishta, në bazë të Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, personat të cilët janë përfitues të të cilit do pension të skemave pensionale të përcaktuara me ligj nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni nga skemat e veçanta pensionale të cilat menaxhohen dhe administrohen nga MPMS. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e ka deshifruar këtë problem dhe e kemi konsideruar si një e pa drejtë ndaj këtyre kategorive andaj kemi hartuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti. Në këtë projektligj, kemi paraparë ndryshimin që personat përfitues për pensionet kontributive të moshës dhe pensionet bazike të moshës të përfitojnë pension plotësues sipas ligjit në fuqi për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre.
• Kur jemi te zbatimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, si Pensionet Invalidore të Punës dhe Pensionet Familjare,  për të cilat janë parashtruar  kërkesat që nga muaji mars 2017, përkatësisht nga muaji prill 2017, ka filluar edhe implementimi i Ligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik dhe se për këtë kompensim janë të pranuara kërkesat, mirëpo shqetësues është fakti që qeveria e kaluar në buxhetin e vitit 2017 nuk ka planifikuar mjete financiare për të kompensuar përfituesit e këtyre kategorive, prandaj ne nuk kemi arrit të fillojmë  pagesat e tyre me kohë.
Dua t’i siguroj përfituesit e këtyre kategorive që në buxhetin e vitit 2018, ne kemi planifikuar buxhet të mjaftueshëm dhe nga janari i vitit  të ardhshëm, do të fillojmë me kompensimin e pensioneve për këto kategori sipas legjislacionit në fuqi.
• Në aspektin e punësimit kemi të arritura që vlen të përmenden, në këtë periudhë në punësim nëpërmjet zyrave të punësimit janë ndërmjetësuar 2 248 persona, prej tyre 1 134 janë të punësuar të rregullt, ndërsa 1 114 persona janë përfshirë në masat aktive të tregut të punës, që lirisht kjo periudhë mund të konsiderohet si një trend në rritje të punësimit.
• Objektivit të punësimit i ka paraprirë edhe aftësimi profesional, ku gjatë kësaj periudhe në qendrat e aftësimit profesional janë trajnuar 1176 punëkërkues dhe janë certifikuar 725 punëkërkues të tjerë, të cilët tashmë kanë trajnimin e duhur dhe janë të gatshëm për tregun e punës.
• Si e arritur tjetër e cila ngërthen në vete edhe punësimin edhe mirëqenien sociale janë hartimi i strategjisë sektoriale të MPMS-së dhe Plani i Veprimit të Punësimit të të Rinjve. Janë dy dokumente të cilat adresojnë qartë objektivat e MPMS-së dhe Qeverisë në luftimin e papunësisë, përkatësisht punësimin e të rinjve, avancimin e kushteve të punës, sigurisë dhe shëndetit në punë, aftësimin profesional, orientimin në karrierë dhe gjithashtu përfshinë objektivin kryesor punësimin e një anëtari të familjes, të atyre familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar.
• Në kuadër të aktiviteteve për aftësim profesional, ne tashmë kemi lansuar shpalljen për aftësimin e 25 të rinjve në Landin e Bavarisë në Gjermani në fushën e ndërtimit.
• Për të shtrirë më tej pjesëmarrjen në aftësime profesionale, jemi në diskutime dhe kontakte të vazhdueshme edhe me shtete tjera, që sa më shumë të rinj të aftësohen në profile deficitare, ose specializime të cilat mungojnë në Kosovë.
• Gjatë kësaj periudhe, një vëmendje të posaçme i kemi kushtuar sigurisë dhe shëndetit në punë dhe me këtë rast janë transpozuar gjithsejtë 16 Direktiva të Bashkimit Evropian në legjislacionin e Kosovës, të cilat avancojnë kushtet e punës apo garantojnë standardet minimale sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
• Dialogu social është proces i rëndësishëm për funksionimin e duhur dhe demokratik të qeverisjes dhe ky dialog krijon një lidhje të shëndoshë të bashkëpunimit në mes të punëdhënësve, punëmarrësve dhe Qeverisë. Ri funksionalizimit të Këshilli Ekonomiko Social, si organi më i lartë i nivelit  nacional të dialogut social, i kam kushtuar rëndësi të veçantë. Nën drejtimin tim, gjatë kësaj periudhe kemi mbajtur dy takime dhe kemi marrë vendime për ri funksionalizimin e komisioneve profesionale, kemi përfunduar draftin e udhëzimit administrativ për plotësim ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për përcaktimin e pagës minimale dhe brenda kësaj jave do ta kemi edhe një takim tjetër, ku për herë të parë që nga viti 2011 do të dalim me propozim për ndryshimin e pagës minimale.
• Të nderuar, gjatë kësaj periudhe ne kemi shënuar të arritura mjaft të mira edhe në fushën e legjislacionit: kemi proceduar Projekt Ligjin për Ndërmarrjet Sociale i cili ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e  Kosovës, kemi proceduar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, janë miratuar një sërë aktesh nënligjore, si nga siguria dhe shëndeti në punë, po ashtu edhe në fushën e shërbimeve sociale.
• Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, ne tashmë kemi përmbyllur të gjitha negociatat me Zvicrën dhe Belgjikën, lidhur me marrëveshjet për sigurimet sociale dhe këto marrëveshje priten të nënshkruhen në një të ardhme shumë të afërt. Në këtë periudhë kemi iniciuar marrëveshje për sigurime sociale edhe me Austrinë, Kroacinë dhe shtetet fqinje.
• Marrëveshje për njohjen e periudhave të sigurimit në mënyrë të ndërsjellë kemi nënshkruar me rastin e mbajtjes së takimit të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
• Sa i përket marrëveshjeve në vend, së bashku me MASHT-in kemi nënshkruar një marrëveshje kooperimi me GIZ-in gjerman, marrëveshje e cila kap vlerën e 12 milionë eurove dhe bazohet në projektin YES (RINIA, PUNËSIMI DHE AFTËSIMI PROFESIONAL).
• Është nënshkruar një marrëveshje tjetër në mes të MPMS-së, MPB-së dhe UNDP-së, e cila po ashtu ka të bëjë me punësimin e të rinjve, posaçërisht në punësimin dhe riintegrimin e të rikthyerve nga vendet e jashtme.
• Ndërsa sot kemi nënshkruar memorandumin e  bashkëpunimit ndërmjet MPMS-së, MASHT-it dhe MTI-së me qëllim jetësimin e programit dhe përmbushjen e objektivave tona:
–    Punësimin e një anëtari nga çdo familjeje që nuk kanë asnjë të punësuar;
–    Aftësimin profesional;
–    Vetëpunësimin dhe krejt kjo në bazë të nevojave reale të tregut të punës.
Objektivat:
Të nderuar të pranishëm,
Në këtë konferencë po shpalosim vetëm fillimin e punëve të cilat janë realizuar, ne na pret shumë punë para vetes.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka definuar objektivat për të përmbushur mandatin e saj. Këto objektiva janë reflektuar në programin qeverisës dhe në Strategjinë Sektoriale dhe Planin e Veprimit si dhe  Planin e Veprimit për të Rinjtë, dokumente të cilat pritet të miratohen në qeveri. Këto dokumente gjithashtu janë pjesë përbërëse e Agjendës Evropiane, Programi për Reforma Ekonomike.
Objektivat tona kryesore gjatë këtij mandati janë:
• Punësimi i një anëtari të familjes për secilën familje që nuk ka asnjë të punësuar;
• Aftësimi profesional dhe orientimi në karrierë;
• Vetëpunësimi;
Punësimi i një anëtari të familjes për secilën familje që nuk ka asnjë të punësuar si dhe zvogëlimi i përfitueseve të asistencës sociale nëpërmjet aktivizimit të tyre në tregun e punës, nëpërmjet masave aktive të tregut si: subvencionim të pagave, angazhim në punët publike,  grande për vetëpunësim, praktikë në punë dhe trajnim në punë do jenë aktivitetet kryesore në përmbushjen e këtyre objektivave.
• Analiza e nevojave të tregut të punës është një objektiv tjetër i cili do të zë vend në punën e MPMS-së, me qëllim të harmonizimit të shkathtësive dhe aftësive profesionale të fuqisë punëtore me nevojat e tregut të punës;
• Avancimi i kushteve të punës së punëtorëve, luftimi i punësimit informal, garantimi i standardeve minimale të sigurisë dhe shëndetit në punë do të jetë një objektiv tjetër e MPMS-së. Në këtë fushë do të realizojmë reformën në Ligjin e punës duke transpozuar 15 direktiva të BE-së. Ky do të jetë një ligj i avancuar në përmbushjen e të drejtave të punëdhënësve dhe punëmarrësve dhe do të rregulloj disa çështje që për një kohë të gjatë kanë qenë dhe janë pjesë e diskutimeve dhe debateve të ndryshme si pushimi i lehonisë, orari i punës, kontratat, dispozitat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e grave në punë etj.
• Sa i përket informalitetit, ne jemi në periudhën e përfundimit të Projektligjit për Inspektoratin e Punës, i cili gjithashtu do të jetë një ligj i avancuar dhe do të përmbaj standarde të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO – International Labour Organisation). Do të fokusohemi në fuqizimin e rolit të inspektoratit, si në aspektin e ngritjes së kapaciteteve po ashtu edhe në shtimin e numrit të inspektorëve, por ajo që është më e rëndësishme, do të ushtrojmë një mbikëqyrje më të rreptë në punën e inspektoratit.
• MPMS do të jetë e përkushtuar në zhvillimin, nxitjen dhe promovimin e dialogut social në Kosovë. Në këtë kontekst do të punohet  ngushtë me organizatat e punëtorëve, punëdhënësve, me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve më të mira për partnerët socio-ekonomik. Fuqizimi i rolit të dialogut social nëpërmjet ndryshimeve ligjore, fuqizimi i kapaciteteve të Këshillit Ekonomiko-Social si dhe hartimi dhe miratimi i kontratës se re kolektive,  do të jetë objektiv i veçantë i MPMS-së.
• Fuqizimi i organizatave jo-qeveritare përmes licencimit dhe sigurimi i një fondi për financim të projekteve për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare do të realizohet nëpërmjet Ligjit për ndërmarrjet sociale (tashmë i miratuar në leximin e  parë në Kuvendin e Kosovës), i cili ka për synim tri qëllime: qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve sociale, ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe punësimin e personave në nevojë sociale. Me miratimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore do të filloj regjistrimi i ndërmarrjeve sociale, të cilat do të fillojnë ofrimin e shërbimeve të ndryshme dhe të integrojnë në punësim grupet e cenuara.
• Objektiv tjetër i MPMS është zgjidhja e çështjes së grantit specifik për shërbime sociale. Me rastin e decentralizimit të shërbimeve sociale nga niveli qendror në nivel lokal, shërbimet sociale nuk kanë trashëguar një qëndrueshmëri financiare për ofrimin e këtyre shërbimeve. MPMS është angazhuar të jetë pjesë aktive dhe të ngrit lobimin në ndryshimin e Ligjit për financat e pushtetit lokal, për të paraparë edhe grantin specifik për shërbime sociale.
• Reforma pensionale është një tjetër objektiv, me të cilin synohet të bëhet nëpërmjet aspektit legjislativ, organizativ dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Reformimi pensional do të realizohet përmes zhvillimit të sistemit të qëndrueshëm pensional, harmonizimit të kornizës ligjore, ngritjes së kapaciteteve institucionale, njerëzore dhe teknologjike.  Ndryshimet legjislative fokusohen në hartimin e një ligji të ri gjithëpërfshirës, në të cilin do të trajtohen të gjitha skemat pensionale, kategoritë e pensionistëve, pagesat dhe beneficionet, të rishikohen kriteret për përfitime në pensione, siç janë: të drejtat bazike për pension të moshës, kushtëzimet për pensionin bazik të moshës, rishikimin e viteve të kontributeve pensionale (nga 15 në 10 vite), njohja e stazhit për gjithë qytetarët, të cilët kanë punuar në sektorë dhe periudha të ndryshme kohore, kategorizimi i pensioneve invalidore të punës, definimi i procedurave të thjeshtëzuara për lajmërimin e pensionistëve.
• Prioritet tjetër është edhe inicimi dhe arritja e marrëveshjeve bilaterale për sigurimet sociale me ato shtete me të cilat nuk kemi arrit marrëveshje deri më tani.
Të nderuar të pranishëm, ju ftojmë që të jeni pjesë e sukseseve tona, por të jeni edhe një mbikëqyrës i punës ose mos punës sonë, duke ju falënderuar për punën tuaj, ju uroj sukses, mbarësi dhe shumë shëndet për vitin e ardhshëm, shpresojmë që të jemi bashkë në suksese të reja.