Diskutim konstruktiv në takimin e Këshillit Ekonomiko-Social

Me një pjesëmarrje të partnerëve social, sot është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Ekonomiko-Social. Takimi është hapur nga Ministri Abrashi, i cili ka prezantuar mbi çështjet me rëndësi jetike të politikës socio-ekonomike në vend, si dhe politikat sociale dhe zhvillimore që po ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e partnerëve social, në veçanti kanë vënë në diskutim zhvillimet dhe trendet në lidhje me marrëdhënien e punës në ndërmarrjet publike, mirëqenien sociale, ligjet që dalin nga Kuvendi i Kosovës dhe zbatimi i drejtë dhe efikas i tyre.

Përfaqësues të partnereve social, diskutuan çështje që lidhen me kontratën kolektive, me theks procesin e përcaktimit të pagës minimale dhe çështje që lidhen me nevojën për luftë kundër informalitetit në tregun e punës. Në këtë kuadër, Ministri Abrashi theksoi, se përpos hapjes së vendeve të reja të punës, prioritet i tij është kundërvënia ndaj shkeljeve ligjore, nga ana e operatorëve në tregun e punës, me qëllim që tregu i punës të dominohet nga marrëdhëniet e rregulluara dhe formale mes punëmarrësve dhe punëdhënëseve. Në këtë kontekst, diskutuesit shtruan nevojën që në takimin e radhës së KES-it, të ftohet Inspektorati i Punës, që të prezantojë dhe diskutojë mbi punën, të arriturat dhe sfidat, si dhe të pranojë rekomandimet që do të shpinin në përpjekje më efikase kundër informalitetit dhe lëshimeve tjera në tregun e punës.

Gjatë takimit u trajtuan edhe tema mbi procesin e plotësim ndryshimit të ligjit të punës, ligjit mbi KES-in, si dhe nevojën për përcaktimin e pagës minimale. Gjatë fjalimit, Ministri Abrashi ri-theksoi se si çështje me rëndësi të veçantë është edhe caktimi i pagës minimale, ku kërkoi nga partnerët social, që konform ligjeve, në takimin e ardhshëm të sjellin propozimet dhe arsyetimet e tyre konkrete, për caktimin e pagës minimale në Republikën e Kosovës.

Abrashi siguroi përfaqësuesit e KES, njëherësh organ më i lartë këshillëdhënës me përfaqësim të organizatave të punëdhënësve dhe të punëmarrësve, se në angazhimin e tij, nuk do të ndalet së dialoguari në interes të temave që prekin punëmarrësit dhe punëdhënësit, si dhe i falënderoi partnerët social për kontributin e tyre në tema sociale dhe zhvillimore.