Zv/ministri i MPMS-së z. Safet Kamberi takim informues me udhëheqësit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës

Zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Safet Kamberi, i shoqëruar nga drejtori i Departementit të Pensioneve në MPMS z. Bahri Xhaferi, ka zhvilluar sot takim të karakterit njoftues me përfaqësues të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të kryesuar nga z. Shaban Kajtazi, me ç’rast u njoftua edhe për së afërmi me gjendjen dhe statusin e përgjithshëm të pensionistëve.

Zv/ministri Kamberi shprehu mirëkuptimin e tij për pensionistët dhe u premtoi atyre se bashkëpunimi i ndërsjelltë me Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës dhe shoqatave tjera relevante do të vazhdoj edhe në të ardhmen ku do të shfrytëzoi të gjitha mundësitë e tij si zëvendësministër për t’i përkrahur kërkesat e tyre në përmirësimin e kushteve në objektin e organizatës së pensionistëve, aty ku edhe e kalojnë kohën si dhe një mirëqenie më të mirë për këtë kategori në shoqërinë tonë.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe çështja e objektit të Lidhjes së Pensionistëve në Komunën e Mitrovicës, e cila sipas kryetarit të kësaj shoqate nuk i përmbush kushtet elementare për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.

Lidhur me këtë çështje zv/ministri Kamberi u zotua se MPMS pas dorëzimit të projektit të detajuar nga ana e lidhjes së pensinonistëve do të procedohet menjëherë për të filluar punët e ndërtimit gjatë këtij viti duke kërkuar mbështetje edhe nga donatorët tjerë.

Ndërkaq përfaqësuesi i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës z. Shaban Kajtazi shprehu falenderimet e tij rreth angazhimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm që MPMS ka treguar çdo herë dhe premtoi se ata do të angazhohen në çdo rrethanë sa i përket përmirësimit të gjendjes ku ndodhen aktualisht.