Istog, më 15 shkurt 2017
Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi, sot mori pjesë në përmbylljen e suksesshme të projektit “Zhvillimi i inovacionit dhe ndërmarrësië në rajonin ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi”. Projekti është bashkëfinancuar më BE-në dhe ka pasur për synim financimin e ideve më të mira të cilat krijojnë mundësi për vetëpunësimin e të rinjve nga rajoni i Dukagjinit.
Zëvendësministri Kamberi tha se ky projekt përveç përkrahjes së ideve të të rinjve për ndërmarrësi ka edhe një dimension tjetër, bashkëpunimin ndërshtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. “Projekti ka përmbyllur rrugëtimin e tij të suksesshëm, ku në një periudhë njëvjeçare janë organizuar shumë trajnime me qëllim të përgatitjes së të rinjve që merren me tekonologji të informacionit dhe ndërmarrësi”. Ai ka shtuar se projekti ka nxitur të rinjt pjesëmarrës të këtij programi, të zhvillojnë idetë e tyre biznesore për vetëpunësim, në veçanti në sektorin e turizmit. “Duke marrë parasysh potencialet turistike që ka Istogu dhe rajoni i Dukagjinit, jam i bindur që këta të rinj do ta gjejnë veten shumë më lehtë në tregun e punës”, tha zëvendësministri Safet Kamberi.
Duke falënderuar përfaqësuesin e BE-së për bashkëpunimin, ai tha se MPMS së bashku me BE-në dhe partnerët tjerë do të identifikojnë mundësi dhe projekte tjera që ndërlidhen me punësimin dhe aftësimin profesional të të rinjve.
Këtë iniciativë të mirë e ka përshëndetur edhe zëvendësshefi i Departamentit të Bashkëpunimit nga Zyra e BE-së në Kosovë, Libor Chlad. Ai tha se qëllimi ynë është të nxisim të rinjt për vetëiniciativë dhe ndërmarrësi, në mënyrë që ata të vetëpunësohen dhe vetes t’ia hapin një alternativë në tregun e punës. Chlad u zotua se projektet të tilla do të financohen edhe në të ardhmen dhe jo vetëm në rajonin e Dukagjinit.
Në këtë projekt janë përzgjedhur tetë ide më të mira të cilat krijojnë mundësi më të mira për punësim dhe vetëpunësim dhe secila prej tyre ka përfituar grante në vlerë prej tre mijë eurosh.