UNDP publikoi i Raportin e Zhvillimit Njerëzor në Kosovë 2016 “Tregu i punës në funksion të grave dhe të të rinjve”

Fjala përshëndetëse e zëvendësministres së MPMS-së, Rita Hajzeraj – Beqaj

 

Prishtinë, më 8 shtator 2016

Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj – Beqaj, në fjalën përshëndetëse tha se këtë vit UNDP ka trajtuar një temë shumë aktuale dhe që ka nevojë për diskutime të gjera publike.

Ajo ka rikonfirmuar se qëllimi kryesor i qeverisë dhe i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është të krijojë politika të punësimit, të cilat bazohen në analiza të tregut të punës dhe zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë, ekspertët dhe shoqërinë civile, si dhe ofrojnë zgjidhje e rekomandime konkrete, si në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin teknik.

“Për këtë, ne jemi të kënaqur që këtë vit raporti  ‘Zhvillim Njerëzor i UNDP-së”, është i fokusuar pikërisht në këtë temë. Tregu i punës është dinamik dhe duhet që vazhdimisht të analizohet, dhe politikat të ndërtohen në atë mënyrë që i adresojnë nevojat, nga njëra anë të punëdhënësve dhe nga ana tjetër edhe të punëkërkuesve”.

Ajo ka shtuar se ky raport e nxjerr Kosovën në sfondin global të raporteve të zhvillimit njerëzor dhe na mundëson edhe krahasimin me vende të rajonit apo edhe me vende të cilat po ndjekin një rrugëtim të zhvillimit ekonomik të ngjashëm me Kosovën. “Gjithashtu, jemi të kenaqur që kemi një përllogaritje të indeksit të zhvillimit njerëzor dhe shpresojmë që ky indeks do të publikohet edhe në raportet globale”, ka thënë zv/ministrja Hajzeraj – Beqaj.

Dhe për këtë, MPMS gjatë dy viteve të fundit ka arritur të krijojë pako të programeve aktive të punësimit, duke siguruar që gratë dhe të rinjtë të jenë në fokus, dhe të kenë qasje të barabartë në vendet e punës që hapen në Kosovë.

Me këtë rast, ajo njoftoi të pranishmit për masat dhe programet që ka ndërmarrë MPMS-ja, sidomos në krijimin e mundësive për pjesëmarrje aktive në programet e trajnimit në punë, subvencionimit të pagave, programeve të vetëpunësimit, e të tjera. “Këto programe kanë treguar rezultate shumë të larta, prandaj dhe ne jemi të dedikuar që këto poltika t’i vazhdojmë dhe të mbështesim fuqimisht ata të rinj dhe të reja që çdo vit kanë mundësi të kontribuojnë në rritjen e produktivitetit të këtij vendi”, tha në fjalën përshëndetëse zv/ministrja Hajzeraj – Beqaj.