Rita Hajzeraj-Beqaj priti një delegacion nga Bursa e Turqisë

Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj- Beqaj, sot ka pritur një delegacion nga Qendra për Aftësime Profesionale ‘BUSMEK’, nga Bursa e Turqisë.

Në këtë takim u bisedua për avancimin të mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral në fushën e trajnimeve profesionale. Zëvendësministrja Hajzeraj- Beqaj, ka falënderuar miqtë nga Turqia për bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar. Ajo njëkohësisht i informoi ata për kapacitetet e qendrave profesionale të Kosovës dhe punën që bëjnë ato për të përgatitur të rinjtë për tregun e punës.

Po ashtu, pala turke, konform Memoradumit për Bashkëpunim, të arritur vitin e kaluar, në mes të MPMS-së dhe Qendrës ‘BUSMEK’, u shpreh e gatshme të ndihmojë Kosovën me pajisje të nevojshme si dhe me stafin profesionist nga Turqia.

Drejtori i Qendrës Trajnuese ‘BUSMEK’, Ibrahim Karaman, tha se kësaj radhe ata janë të gatshëm të fillojnë që nga muaji i ardhshëm me dërgimin e ekspertëve të tekstilit dhe estetikës për të ndihmuar në aftësimet profesionale në këta sektorë. Pas kësaj ata thanë se do të dërgojnë edhe pajisjet e nevojshme.

Delegeacioni nga Turqia, i prirë nga drejtori i Qendrës BUSMEK, Ibrahaim Karaman, zv/drejtori Ejup Arda dhe udhëheqësi i shoqatës kulturore “Kosova dhe Shkupi”, Rexhep Kunduz, vizituan Prizrenin dhe Qendrën e Aftësimeve Profesionale në Prishtinë, ku u njohën me kushtet, punën dhe profesionet që mësohen në këtë qendër.