U Mbajt Konferenca Vjetore e MPMS-së, në Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve

Me rastin e Ditës Botërore kundër Punës së Fëmijëve, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në emër të Komitetit të Kosovës për Parandalimin dhe Eliminimin e Punës së fëmijëve, mbajti konferencën vjetore mbi punën e fëmijëve.

Për të diskutuar rreth angazhimeve te institucioneve qeveritare në adresimin e punës se fëmijëve gjatë periudhës 2013-2014 dhe prioritetet për 2014-2015, të ftuar në konferencë ishin përfaqësues të institucioneve të nivelit qendror dhe atij komunal, përfaqësues të partnerëve social dhe shoqërisë civile. Gjithashtu u bë prezentimi i raportit të vitit 2013 mbi zbatimin e planit të veprimit për parandalimin dhe eliminimin e punës së fëmijëve.

Objektiv kryesor i këtij raporti ishte krijimi i një mjedisi të favorshëm për parandalimin dhe eliminimin e punës së fëmijëve, si dhe zbatimi i ndërhyrjeve të menjëhershme për parandalimin e përfshirjes së fëmijëve të rrezikuar dhe tërheqjen e fëmijëve të përfshirë në format më të këqija të punës së fëmijëve.

Këshilltari për Çështje Sociale në MPMS-së, z. Behxhet Gaxhiqi tha se qëllimi i kësaj konference është diskutimi i zhvillimeve në adresimin e punës se fëmijëve gjatë vitit të fundit, diskutimi i sfidave dhe identifikimi i mundësive për fuqizimin e intervenimeve nga të gjithë akterët relevantë. Z. Gaxhiqi, gjithashtu, shtoi se Ministria, së bashku me UNICEF-in, kanë filluar një hulumtim lidhur me të dhënat e përgjithshme rreth formave të rrezikshme të fëmijëve në punë dhe raportimin e numrit të saktë të tyre.

Lindita Boshtrakaj, Menaxhere e ILO-IPEX në Kosovë, tha se prioritet i tyre së bashku me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për vitet në vazhdim është edhe mobilizimi i strukturave komunale.

Prioritet tjetër, sipas saj, është edhe ndërgjegjësimi më i fuqishëm ndërmjet politikave arsimore, të punësimit dhe masat për mbrojtjen e fëmijëve.

Konferenca vazhdoi punimet me shfaqjen e një dokumentari ku u shfaqën të arriturat dhe ngecjet të ndonjë forme të punës së fëmijëve.