Synohet punësimi i njëmijë punëkërkuesve me hapjen e “Panairit të Punës -2018 “ në Komunën e Gjilanit

Ka vazhduar sot mbajtja e “Panairit të Punës 2018” në Komunën e Gjilanit i organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (GIZ) dhe mbështetjen e Komunës së Gjilanit. Ky panair ka për qëllim punën praktike me mundësi vazhdimi si dhe mundësinë e hapjes së vendeve të lira të punës për të papunët duke koordinuar kështu takime të ndërmjetme mes bizneseve dhe punëkërkuesve.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli i cili mori pjesë në këtë event tha se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka përkrahur në vazhdimësi punëkërkuesit dhe bizneset si në subvencionime në paga, praktikë në punë, trajnim në punë, vetëpunësim etj.

Z. Makolli mes tjerash shtoi se panairi i sotëm në Gjilan ka një rëndësi të veçantë pasi aty po marrin pjesë mbi 38 kompani të cilat po i ofrojnë rreth 1.000 vende të lira për punë dhe punë praktike në Regjionin e Gjilanit.

“Panairi në të cilin jemi mbledhur sot ka një rëndësi të madhe sepse marrin pjesë mbi 38 kompani të cilat i ofrojnë rreth 1000 vende të lira pune dhe punë praktike në Komunën e Gjilanit, ku mundësitë më të mëdha për punësim ofrohen kryesisht nga kompanitë e sektorit të shërbimeve të natyrës së ndryshme” tha z. Makolli.

Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri i cili mori pjesë në hapjen e këtij panairi tha se ky panair është mundësi e mirë për të kërkuar punë, ku sipas tij në Komunën e Gjilanit në sektorin që më së shumti kërkohet punësim është ai i ndërtimit. Z. Haziri ju drejtua të pranishmëve se nuk duhet ta kenë si target punësimi sektorin publik pasi sipas tij e ardhmja e zhvillimit në Kosovë është në sektorin privat.

“Nuk ka të ardhme në sektorin publik, e ardhmja është në sektorin privat, vetëm duhet më tepër respektim i Ligjit të Punës” ka shtuar z. Haziri.

Z. Klaus Bader –Labarre, Menaxheri i Programit YES –GIZ shprehu kënaqësinë e tij me pjesëmarrjen e kaq shumë të rinjëve në këto panaire duke shpresuar se suksesi i këtij panairi do rezulton me hapjen konkrete të vendeve të lira të punës për të papunët.

Në fund zv/ministri Makolli theksoj se MPMS në bashkëpunim me GIZ-në edhe në të ardhmen do të organizoj panaire të tilla të punësimit edhe në komunat e tjera çdo herë duke kontribuar në uljen e papunësisë dhe përgatitjes së të rinjëve për tregun e punës.