Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut do të zbatojnë kontroll të përbashkët doganor në vendkalimin hekurudhor

Prishtinë, më16 shtator 2021

Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ministri i Financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Besimi kanë nënshkruar sot në mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive të mbajtur në Maqedoninë e Veriut marrëveshjen implementuese mbi rregullimin e Komunikacionit Hekurudhor Kufitar.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen si vazhdimësi e bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë në fushën e komunikacionit hekurudhor kufitar, ku qëllim kryesor mbetet thjeshtësimi i organizimit të këtij komunikacioni dhe shkurtimi i kohës së pritjes në vendkalimet kufitare

Me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje në mes të tjerash përcaktohet edhe mënyra e realizimit të kontrolleve doganore dhe implementimi i procedurave doganore për komunikacionin hekurudhor nga zyrtarët doganorë të të dy palëve në zonën hekurudhore.

Me këtë rast shënohet edhe një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve në mes të dyja shteteve dhe thellimit të bashkëpunimit në fushën e komunikacionit, në linjë me prioritetet e Qeverisë për zhvillim të qëndrueshëm të vendit.