Washington, më 15 qershor 2018
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në kuadër të qëndrimit në Washington, ka vazhduar takimet në Departamentin e Punës, në kuadër të Departamentit Amerikan të Shtetit. Ai u takua me Drejtoreshën e Zyrës për punën e fëmijëve, punës së detyrueshme dhe trafikimit të qenieve njerëzore, znj.Marcia Eugenio, me të cilën bisedoi lidhur me vështirësitë e Ministrisë, sidomos me papunësinë në vend, krijimin e mundësive për punësim sezonal në SHBA, si dhe eliminimin e punëve të rënda tek fëmijët.
Ministri Reçica e njoftoi znj.Eugenio lidhur me zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga Departamenti i Shtetit mbi eliminimin e punëve të rënda tek fëmijët. Ai theksoi se tashmë draftligji për të drejtat e fëmijëve është dërguar për miratim në Qeveri, është miratuar Strategjia Sektoriale, e cila parasheh disa aktivitete lidhur me eliminimin e punëve të rënda, sikurse ngritja e nivelit të koordinimit në mes të nivelit qendror dhe lokal si dhe fuqizimi i mekanizmave për eliminimin e punëve të rënda, përfshirja e fëmijëve minoritar nëpër shkolla, etj.
Znj. Eugenio falënderoi Ministrin Reçica për vizitën dhe theksoi se Departamenti i Punës është i interesuar që të ndihmojë Kosovën në këtë aspekt.
Ministri Reçica, po sot ka zhvilluar një takim me Drejtoreshën e zyrës së “UN Women” në Washington, znj.Elizabeth Cafferty me të cilën diskutoi lidhur me viktimat e dhunës seksuale në Kosovë. Ministri Reçica e njoftoi znj.Cafferty lidhur me procesin e statusit të viktimave të dhunës seksuale dhe veprimet të cilat ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës lidhur me njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale dhe për beneficionet që do të i’u ofrojë Qeveria e Kosovës.
Ministri Reçica kërkoi nga znj.Cafferty ndihmë në realizimin e një projekti me të cilin do të angazhoheshin një numër grash, në punësim ose të mbështetën me projekte të vogla, si biznese familjare etj.
Znj.Cafferty e siguroi Ministrin Reçica se do të ngrit këtë çështje edhe në New York dhe se do të jetë zëri i të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës së fundit.
Ministri Reçica është takuar gjithashtu me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore me të cilët ka diskutuar për projektet e Ministrisë, reformën pensionale, reformën në marrëdhënien e punës, inspektoratin e punës dhe reformën e aftësisë së kufizuar.