Reçica në Washington merr mbështetjen e plotë të SHBA-ve për Kosovën

Uashington, më 14 qershor 2018
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, në kuadër të qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka vazhduar vizitën në Washington. Me këtë rast, Reçica, i shoqëruar nga Ambasadorja e Kosovës në Washington, znj.Vlora Çitaku, u prit në takim në Departamentin Amerikan të Shtetit nga znj.Susan K. Falatko, Drejtoreshë e Zyrës për Çështje të Evropës Jugore dhe të Mesme.
Ministri i shprehi znj.K.Fatalko falënderimet për ndihmën që SHBA-të i kanë dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit. Ai e njoftoi për gjendjen socio-ekonomike në Kosovë ku theksoi se shteti ynë po ballafaqohet me disa vështirësi, sidomos me shkallë të lartë të papunësisë, e cila është një sfidë që duhet adresuar shpejt.
“Qeveria e Kosovës po bënë përpjekje maksimale për ngritje të mirëqenies sociale dhe rritje të punësimit nëpërmjet objektivave të qarta dhe hapave konkret”, tha Reçica.
Ministri Reçica e njoftoi znj.Falatko se ka qenë për vizitë në shtetin e Iowa-s nga ku është informuar se ky shtet ka nevojë për fuqi punëtore dhe se do të ishte mirë të shikohen mundësitë e angazhimit të qytetarëve të Kosovës në punë sezonale ose punësim të përkohshëm. Znj.Falatko theksoi se do të shikohen të gjithat mundësitë se çfarë mund të bëhet në këtë drejtim ku shprehi optimizëm se një gjë e tillë mund të realizohet.
Temë diskutimi në mes të Reçicës dhe znj.K.Falatko ishte edhe procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe formimi i Ushtrisë së Kosovës.
“Jemi në fazën përfundimtare të dialogut dhe jemi optimist në arritjen e një konsensusi nacional me përbërje të të gjitha partive politike në vend, në mënyrë që të kemi një zgjidhje të pranueshme”, tha Reçica.
Ndërkaq sa i përket formimit të ushtrisë, ministri tha se besojmë që brenda pak kohësh Kosova do ta ketë ushtrinë e saj dhe në këtë pikë kërkoi edhe mbështetjen e SHBA-ve.
Ministri gjithashtu foli edhe rreth procesit të integrimeve euroatlantike të Kosovës dhe të integrimit në organizata të rëndësishme ku bëri me dije se Kosova nuk ka alternativë tjetër, përpos integrimit në familjen e Bashkimit Evropian. Znj. K.Fatalko ofroi mbështetjen dhe gatishmërinë e plotë të SHBA-ve për të ndihmuar Kosovën sidomos në fushën socio-ekonomike por gjithashtu në të gjitha çështjet për të cilat u diskutua në takim.