Reçica kërkon zbatimin e rregullores që obligon vendpunishtet të hartojnë planin për siguri dhe shëndet në punë para fillimit të punimeve

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka kërkuar nga Inspektorati i Punës që të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të Rregullores Nr.06/2017 për Kriteret Minimale të Sigurisë dhe Shëndetit në Vendndërtimet e Përkohshme apo Mobile, sipas së cilës vendërtimet para se të fillojnë ndërtimin duhet të kenë një koordinator për siguri dhe shëndet në punë, i cili harton një plan për siguri dhe shëndet në punë dhe të njëjtin ia paraqet Inspektoratit të Punës.

Kërkesa e plotë e Ministrit Reçica:

Me qëllim të mbikëqyrjes së legjislacionit në fushën e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, kërkova nga Inspektorati i Punës që pa kompromis të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të Rregullores Nr.06/2017 për Kriteret Minimale të Sigurisë dhe Shëndetit në Vendndërtimet e Përkohshme apo Mobile. Të gjitha vendndërtimet për të përmbushur kriteret minimale për siguri dhe shëndet në punë, para se të fillojnë ndërtimin, duhet të kenë koordinatorin për siguri dhe shëndet në punë, i cili harton planin për siguri dhe shëndet në punë dhe i prezanton këtë plan Inspektoratit të Punës.

Inspektorati i Punës do të ndërmarrë masat e përcaktuara me legjislacion, ndaj të gjithë subjekteve juridike dhe fizike, të cilat nuk kanë koordinatorin për siguri dhe shëndet dhe nuk prezantojnë planin për siguri dhe shëndet në punë, para fillimit  të ndërtimeve, siç është e përcaktuar me rregulloren e cekur më lartë.