Prishtinë, më 22 prill 2021
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka sqaruar vendimin e djeshëm të marrë në mbledhjen e Qeverisë për shtesat e ndara për skemat pensionale dhe sociale.
Përmes një njoftimi ministri Murati ka thënë se nga pakoja prej 20 milionë euro e miratuar nga Qeveri, pjesa më e madhe e saj, 8.5 milionë euro janë ndarë për të mbështetur skemat e pensioneve që marrin nën 100 euro, si dhe familjet në asistencë sociale.
Ndërkaq sa u përket shtesave për pensionet bazike, Murati ka thënë se qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro për vetëm tre muaj (janar, shkurt dhe mars), dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndërpriten në tërësi.
“Me pakon e re, kemi shtuar 8.5 milion euro, aty ku qeveria e kaluar kishte buxhetuar 0 (zero) euro shtesa. Pra për muajt prill e tutje, nuk ka pasur shtesa të planifikuara. Krejt çka do të merrnin pensionistët pa vendimin e djeshëm të Qeverisë, do të ishte shuma prej 75 ose 90 eurove, ashtu siç është e planifikuar në buxhetin e vitit 2021, të miratur në Kuvend. Ministria e Finacave, Punës dhe Transfereve, ka paraparë që për kategoritë e skemave pensionale që marrin nën 100 euro, e këtu ka kategori me 75 euro dhe me 90 euro, të aplikohet një shtesë, në atë mënyrë që shuma totale e pensionit me gjithë shtesën të jetë 100 euro”, ka sqaruar ai.
Ministri i MFPT-së, Hekuran Murati, ka shtuar se këto shtesa, do të vazhdojnë përgjatë tërë vitit, njësoj sikurse mbështetja për përfituesit e asistencës sociale.