Prizren, më 19 prill 2018
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, së bashku me zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, kanë zhvilluar sot takime dhe diskutime me familjet përfituese të Skemës së Ndihmës Sociale, në komunat, Therandë dhe Prizren.
Qëllimi i takimit ka të bëjë me projektin e MPMS-së, lidhur me punësimin e një anëtari të familjeve që nuk e kanë asnjë të punësuar, e që kanë të paktën një anëtar të aftë për punë.
Ministri Reçica, gjatë takimit me familjet përfituese të asistencës sociale në të dy komunat tha se MPMS, me mbështetje edhe të qeverisë së vendit, është e përkushtuar në zbutjen e papunësisë. “Duke qenë se nuk jemi të kënaqur se sa ju është ofruar juve përgjatë viteve të tëra, si në aspektin material ashtu edhe në atë të punësimit, kemi pare të nevojshme të fillojmë me këtë projekt, mundësinë e punësimit të paktën të një anëtari të familjes suaj”, tha Reçica.
Ministri Reçica, gjithashtu, u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të familjeve të cilët nuk janë të përgatitur profesionalisht, që në kuadër të masave aktive të tregut të punës, të paraqiten pranë Zyrave të Punësimit dhe të vizitojnë Qendrat e Aftësimit Profesional që të aftësohen në një mori profilesh që ofrohen aty.
Ndërkaq, të gjithë ata që janë të përgatitur profesionalisht, ministri tha se do të përfshihen në punë publike, subvencionohen në pagë apo forma tjera, në kuadër të masave aktive të tregut të punës, ku tregoi se MPMS ka filluar tashmë bashkëpunimin me ndërmarrjet publike dhe bizneset të cilat kanë shfaqur gatishmërinë për punësim.
Ministri njoftoi që në kuadër të përpjekjeve që MPMS po bën për rritjen e punësimit është edhe mbështeta e ndërmarrësve të rinj dhe angazhimi për nënshkrimin e marrëveshjeve për punësim sezonal të qytetarëve të Kosovës në disa nga vendet e Bashkimit Evropian. “Ju sigurojmë se përfshirja juaj në tregun e punës, do të jetë në fokus të politikave dhe strategjive tona”, tha ministri Reçica.
Kurse, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, tha se zotimi për punësimin e një anëtari të familjeve që nuk e kanë asnjë të punësuar është prioritet kryesor i Qeverisë së vendit. “Ideja e këtyre takimeve të cilat do të vazhdojnë edhe në komunat tjera është që të njoftohen qytetarët me mundësitë që ka shteti dhe komuna për mundësi për punësim të qytetarëve tanë. Ato familje që e kanë një anëtar të aftë për punë, nuk do të mbeten pa punë “, tha zëvendëskryeministri Limaj.
Përgjatë javëve në vijim, do të zhvillohen vizita dhe takime edhe me përfituesit e asistencës sociale në të gjitha komunat e Kosovës.