MPMS ndan 30 çertifikata për të rinjtë e Shoqatës “Down Syndrome Kosova”

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli sot mori pjesë në ndarjen e 30 çertifikatave për të rinjtë me sindromin down në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve me sindromën Down”, projekt ky i nënshkruar muaj më parë në mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqatës “Down Syndrome Kosova”.

Synimi i këtij projekti ishte përkrahja dhe zhvillimi i trajnimeve profesionale për të rinjët me sindromën down e më pastaj duke mundësuar edhe punësime për nevojat e kësaj kategorie në shoqërinë tonë. Këto trajnime janë mbajtur në tri qendrat më të mëdha të aftësimit profesional në Kosovë, Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë.

Gjatë këtij takimi zv/ministri Makolli lidhur me punësimin e të rinjëve me sindromën down ka thënë se sipas Ligjit Nr. 03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.05/L-078, kuota e përcaktuar është se çdo punëdhënës është i obliguar të punësojë një person me nevoja të veçanta në çdo pesëdhjetë punëtorë.

“Roli i shtetit për personat me nevoja të veçanta është që atyre t’ju mundësojë arsim dhe forma të tjera të aftësimit profesional, pajisje të punës me mjete të nevojshme, përdorimin e shërbimeve me asistent kur është e nevojshme, dhe materialisht të stimulojë punësimin e tyre në një masë të pranueshme dhe t’i detyrojë punëdhënësit për punësimin e tyre” shtoi tutje zv/ministri Makolli.

Ndërsa, drejtoresha e kësaj shoqate, znj. Sebahate Hajdini-Beqiri, tha se ky projekt është përmbyllur me sukses, sepse edhe personat me sindromën down kanë potencial dhe kurajo, mirëpo kanë nevoj për më shumë mbështetje. Poashtu falenderoi Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për bashkëpunimin e deritanishëm me këtë shoqatë.

Prezente në këtë takim ishte edhe përfaqësuesja e GIZ-it –Departamenti i Aftësive Rinore dhe Punësimit znj. Julia Becker, ku tha se qëllimi i këtij projekti është që këta persona ti integrojm sa më shumë në vende të punës sepse është kënaqësi e madhe kur në fytyrat e tyre shohim buzëqeshje.

Në fund zv/ministri Makolli premtoi se kjo praktikë duhet të vazhdoj edhe në të ardhmen, për t’ju mundësuar qasjen sa me të lehtë në tregun e punës, fitimin e vendit të punës dhe krijim e kushteve materiale për jetë.