MPMS certifikon 164 punëkërkues të rinj

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me mbështetje të Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) ka bërë certifikimin e 164 punëkërkuesve të rinj të cilët kanë ndjekur Trajnimin për programet e ndërmarrësisë dhe vetëpunësimit.
Në Ceremoninë e Certifikimit të tri Programeve të Vetëpunësimit të financuara nga MPMS dhe GIZ, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica tha se sot po kurorëzohet një angazhim i përbashkët drejt hapjes së perspektivës për të rinjtë në Kosovë.
”Në periudhën gati një vjeçare, përmes programeve të ndërmarrësisë kanë përfituar mbi 160 punëkërkues, do të krijohen 50 ndërmarrje të reja dhe do të hapen mbi 100 vende të reja të punës. Kjo ka ndikim të madh në mirëqenien e mbi 300 familjeve në Kosovë”, tha ministri Reçica.
Ministri falënderoi Qeverinë Gjermane, në veçanti GIZ për bashkëpunimin në implementimin e këtyre projekteve të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në krijimin e mundësive për të rinjtë dhe në zbutjen e papunësisë në Kosovë, gjë që përbën edhe një nga objektivat kryesore të MPMS-së.
Drejtori i GIZ për Kosovë, James Macbeth tha se angazhimi i përbashkët i tyre me MPMS-në është një mbështetje e madhe për të rinjtë si dhe mundësi për gjenerimin e vendeve të reja të punës.
Kurse, sekretarja e parë e Ambasadës Gjermane në Kosovë, Anja Becky falënderoi ministrin Reçica për bashkëpunimin sa i përket mbështetjes së të rinjve, veçanërisht në fushën e ndërmarrësish, që sipas saj shënon një nga aktivitetet kryesore të qeverisë gjermane.
Gjatë ceremonisë, ministri Reçica bëri shpërndarjen e granteve për përfituesit e tri programeve kryesore, Akademisë së Ndërmarrësisë së Gjelbër, Akademisë së Ndërmarrësisë në Kosovë, dhe për ndërmarrësit e rinj.