Në prag të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka marrë vendim për rritje të pagesës mujore të strehimit familjar për fëmijë pa përkujdesje, si dhe për fëmijë me aftësi të kufizuara.
Duke marrë parasysh shqetësimet dhe kërkesat e familjeve strehuese, se kostoja e shpenzimeve për kujdesin e këtyre kategorive të fëmijëve është rritur, ndërsa shumat aktuale të mbështetjes së familjeve që paguhet nga MPMS-ja për këtë formë të mbrojtjes së fëmijëve është e pamjaftueshme, ministri Reçica ka marrë vendim për rritje të pagesës së strehimit familjar, e cila do të fillojë së zbatuari nga 1 Qershori i këtij viti (2018).
Rritje e pagesës së rregullt mujore për strehim familjar për fëmijë pa kujdes prindëror të strehuar brenda familjes biologjike, do të bëhet në 100 euro, nga 75 euro sa ka qenë deri më tani, ku do të përfitojnë mbi 550 fëmijë.
Gjithashtu, nga 150 në 250 euro do të rritet pagesa e rregullt mujore e strehimit familjar edhe për fëmijë të strehuar jashtë familjes biologjike.
Rritje të pagesës mujore do të ketë edhe për strehim të fëmijëve me aftësi të kufizuara, të strehuar jashtë familjes biologjike. Nga 250 euro sa ka qenë deri më tani, kjo rritje do të bëhet në 350 euro.
Kurse, shuma e pagesës fillestare për strehim familjar për fëmijë të strehuar jashtë familjes biologjike dhe e strehimit familjar për fëmijë me aftësi të kufizuara të strehuar jashtë familjes biologjike, do të vazhdojë të paguhet në vlerë prej 75 euro, e cila paguhet vetëm një herë, me rastin e strehimit të fëmijës në familje.
Mbështetja dhe përkujdesja për fëmijët do të jetë një ndër prioritetet e MPMS-së dhe Qeverisë së Kosovës, e cila është pjesë e Programit Qeveritar dhe Strategjisë Sektoriale të MPMS-së.
MPMS do të jetë e përkushtuar që të vazhdojë angazhimet e saj në avancimin e legjislacionit për shërbime më të mira për fëmijë, përmes Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm për financimin e shërbimeve sociale dhe familjare në nivel lokal.