Ministri Reçica takoi sot inspektorët e punës, kërkoi që të jenë të pakompromis

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka takuar sot inspektorët e punës, për t’i mbështetur ata, edhe në ditë vikendi, në intensifikimin e kryerjes së detyrave, në inspektimin dhe kontrollimin e kushteve dhe masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, me theks të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë.

Ministri Reçica kërkoi nga Inspektorët e punës që të jenë këmbëngulës në zbatimin e të gjitha masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, duke zbatuar me përpikmëri të gjitha ato masa që parasheh legjislacioni në fuqi që rregullon këtë fushë.

“Kërkova që të jenë të pakompromis, si dhe në bashkëpunim me kompanitë të rrisin edhe përgjegjësinë e punëmarrësve dhe punëdhënësve për ngritjen e vetëdijes në aplikimin dhe respektimin e të gjitha masave të mbrojtjes dhe sigurisë në punë”, tha ministri.

Tutje, Reçica tha se duke pasur parasysh numrin e aksidenteve, të atyre edhe me fatalitet, kërkoi nga Inspektorati i Punës që në ditët në vijim të rrisin numrin e inspektimeve në vendpunishtet e ndërtimtarisë anekënd Kosovës, veçanërisht në Prishtinë dhe qytetet ku sektori i ndërtimtarisë është më prezent.

“Nga Inspektorët mësova se vetëm në Prishtinë janë kryer inspektime në 244 kompani të sektorit të ndërtimit. Gjithashtu Inspektorati i Punës kërkon bashkëpunim më të madh edhe nga institucionet e tjera të implikuara si dhe nga qytetarët, me qëllim të rritjes së vetëdijes”, tha Reçica.