Ministri Reçica raportoi para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione

Prishtinë, më 14 shkurt 2018

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, raportoi sot para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, rreth plotësim-ndryshimit të Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, i cili tashmë  është dërguar për miratim në Qeverinë e Kosovës.

Ministri Reçica tha se MPMS ka hasur në disa vështirësi  për zbatimin e kornizës ligjore që ka të bëjë me realizimin e të drejtave për pensione, andaj e ka vlerësuar si të domosdoshme plotësim-ndryshimin e ligjit aktual 04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Sipas ligjit në fuqi për skemat pensionale të financuara nga shteti, përfituesit e cilitdo pension të skemave pensionale të përfituara në bazë të këtij ligji, nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni nga skemat e veçanta pensionale, të cilat menaxhohen dhe administrohen nga MPMS.
Me qëllim të respektimit të kontributeve të dhëna nga pensionistët, të cilët janë pjesë e familjeve të kategorive të dala nga lufta, ministri tha se është iniciuar plotësim-ndryshimi përkatës në projektligjin për plotësimi-ndryshimin e ligjit aktual, sipas të cilit i jepet e drejta përfitueseve të pensionit bazik dhe kontributpagues të moshës, të përfitojnë pensione të tjera, bazuar në ligjin në fuqi për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile, si dhe ligjit të amendamentuar.
Ministri Reçica, gjithashtu, njoftoi anëtarët e komisionit parlamentar lidhur me Reformën Pensionale në Kosovë dhe theksoi se tashmë është paraparë hartimi i koncept-dokumentit në agjendën legjislative të Republikës së Kosovës për vitin 2018.
Reforma pensionale do të jetë një reformë gjithëpërfshirëse, ku parashihet një ligj gjithpërfshirës, i cili do të rregullojë shumë çështje të cilat kanë qenë problematike deri më tani. Ai theksoi se kriteri për përfitim të pensioneve kontributive prej 15 vitesh duhet të rivlerësohet për shkak se ky kriter ka penguar shumë qytetarë të Republikës së Kosovës për të gëzuar pensionin kontributiv.
Në kuadër të reformës, gjithashtu duhet të rivlerësohet edhe njohja e kontributeve për periudhat e ndryshme kohore, për ata qytetarë të cilët pa dëshirën e tyre janë larguar nga vendet e punës.
Në kuadër të raportimit, ministri Reçica iu përgjigj anëtarëve të Komisionit lidhur me pyetjet e tyre mbi përfitimet dhe beneficionet e qytetarëve, në bazë të ligjit për kategoritë e dalura nga lufta, të drejtat e punëtorëve, sigurinë dhe shëndetin në punë dhe pyetje të tjera që bien në domenin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.