Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skender Reçica po qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë. Në ditën e parë të vizitës, ministri Reçica ka takuar ministren e Punës dhe Sigurimeve Sociale, znj. Zhylide Sarieroglu. Ministri Reçica falënderoi znj. Sarieroglu për mbështetjen e Republikës së Turqisë dhënë Republikës së Kosovës, si në aspektin e njohjes së shtetit të Kosovës, po ashtu edhe në zhvillimin ekonomik të saj.
Znj. Sarieroglu i dëshiroi mirëseardhje ministrit Reçica dhe njëkohësisht e uroi për pozitën e tij si ministër, duke shprehur gatishmërinë e dikasterit që ajo udhëheq për bashkëpunim dhe mbështetje.
Ministri Reçica e njoftoi ministren Sarieroglu për gjendjen ekonomiko-sociale në Kosovë duke theksuar se në Kosovë papunësia është e lartë dhe ministria që drejton është duke ndërmarrë masat e nevojshme për zbutjen e saj, përmes aftësimit profesional të të papunëve, përmes projekteve të vetëpunësimit dhe subvencionimit të pagave për kohë të caktuar.
Me këtë rast, znj. Sarieroglu i ofroi Ministrit Reçica bashkëpunim në shkëmbimin e përvojave. Republika e Turqisë ka një përvojë shumë të madhe dhe një model shumë të mirë, të cilin e ka realizuar për zbutje të papunësisë në vend, përmes aftësimit profesional dhe edukimit në vendin e punës.
Ministri Reçica kërkoi të shikohen edhe mundësitë e bashkëpunimit në aspektin e punësimit sezonal të qytetarëve të Kosovës në Turqi.
Të dy ministrat u dakorduan që të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi në mes të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës dhe Ministrisë së Punës dhe Sigurimeve Sociale të Republikës së Turqisë, për të mundësuar bashkëpunimin në fusha të veçanta, me rëndësi për të dyja vendet tona.
Ministri Reçica e falënderoi znj. Sarieroglu dhe e ftoi për një vizitë zyrtare në Kosovë. Te dy ministrat vlerësuan lart vizitën dhe treguan gatishmërinë e vazhdimit të komunikimit të ndërsjellë.