Kosova dhe Turqia do të bashkëpunojnë në fushën e shërbimeve dhe skemave sociale

Në vazhdën e  vizitës së tij në Turqi,  Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale,  Skender Reçica i shoqëruar edhe nga Ambasadori i Kosovës në Ankara,  Avni Spahiu, takoi Ministren e Familjes dhe Politikave Sociale të Republikës së Turqisë, Fatma Betyl Saja Kaja.

Temë diskutimi ishte shkëmbimi i përvojave të të dyja shteteve në fushën  e shërbimeve dhe skemave sociale.

Ministri Reçica u njoftua nga ministrja Kaja për sistemin që ka ngritur Turqia lidhur me shërbimet dhe skemat sociale, e cila gjithashtu tregoi se kush janë përfitues të asistencës sociale nga këto skema. Ajo theksoi se Turqia është një shtet social dhe vërtetë kujdeset për qytetarët e saj, mirëpo kriteret për të përfituar nga këto skema janë të përcaktuara mirë me ligj dhe mbikëqyren në mënyrë mjaft të  rreptë.

Ministri Reçica dhe ministrja Kaja u dakorduan për të vendosur urat e bashkëpunimit përmes grupeve punuese që do të rezultojë me marrëveshje të dobishme dypalëshe.

Sistemi i integruar i të dhënave të qytetarëve që aplikojnë për përfitim nga skemat sociale të financuara nga shteti, u konstatua se është shumë i rëndësishëm për  ndërtimin e suksesshëm të funksionimit të kontrolluar të dhënies së ndihmës, kategorive të ndryshme sociale.

Të dy ministrat u pajtuan për të vazhduar bashkëpunimin në këtë fushë dhe ky bashkëpunim të jetë më intensiv, me ç’rast ministri Reçica e ftoi ministren Kaja për një vizitë zyrtare në Kosovë.