Zëvendësministri Makolli merr pjesë në tryezën për rolin e shëndetësisë

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli, mori sot pjesë në tryezën për “Rolin e sektorit të shëndetësisë në zhvillimin inkluziv dhe të qëndrueshëm”, të organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, zyra në Prishtinë.

Zëvendësministri Makolli, gjatë fjalës së tij tha se MPMS, në bazë të përgjegjësive që ka dhe në përputhje me mundësitë kadrovike e njerëzore, ka vepruar që fëmijëve në gjendje të nevojave sociale t’u ofroj mbrojtje, në harmoni me standardet që aplikohen sot në vendet e zhvilluara.

Makolli theksoi se MPMS ka përgatitur infrastrukturën ligjore për mbrojtjen e fëmijëve në gjendje të nevojave sociale, ka hartuar akte nënligjore për zbatim më të mirë të ligjeve për të realizuar shërbimet sociale, si dhe është duke kompletuar standardet minimale për ofrimin e shërbimeve sociale e familjare në Kosovë.

Zëvendësministri tha se ministria do të zhvilloj politika dhe do të përgatisë plane strategjike për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, të siguroj zbatimin e këtyre politikave dhe planeve strategjike dhe të koordinoj punën me institucionet dhe organizatat relevante.

Sipas tij, në këtë mënyrë promovohet zhvillimi dhe zbatimi koherent i politikave të mirëqenies sociale, inkurajohet pjesëmarrja e komunitetit dhe realizohet zhvillimi i iniciativave dhe aktiviteteve të komunitetit në lidhje me mirëqenien sociale.