Prishtinë, më 30 gusht 2019
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica nëpërmjet një konference për medie ka lansuar sot në konsultime publike Koncept-Dokumentin për reformë të Skemës së Ndihmës Sociale, dokument i cili ka të bëjë drejtpërdrejt me mbrojtjen sociale të qytetarëve të Kosovës.
Reçica tha se analizat rreth legjislacionit për asistencë sociale tregojnë se ligji aktual nuk përkon më me rrethanat socio-ekonomike të vendit si dhe në disa raste është diskriminues për familjet përfituese, me kritere të cilat kanë krijuar vështirësi për mirëqenien sociale të këtyre familjeve, sepse këto familje pasi janë larguar nga skema kanë vazhduar të mbetën të varfra ose pranë kufirit të varfërisë.
“Me Koncept-Dokumentin e ri ne synojmë të hartojmë një ligj të ri të bazuar në standardet dhe praktikat më të mira evropiane dhe atyre të rajonit, me qëllim kryesor eliminim e varfërisë në Kosovë”, tha ministri.
Ministri tha se në Projektligj do të eliminohen kriteret diskriminuese, si ai i moshës së fëmijës pesë vjeç, do të eliminohen kategoritë e asistencës sociale (kategori I dhe II), do të bëhet ndryshimi i shkallës së ekuivalencës për llogaritjen e shumës mujore në bazë të madhësisë dhe strukturës demografike të ekonomive familjare, do të instalohen shtesat për fëmijët e familjeve nën asistencë për secilin fëmijë deri moshën 18 vjeç, do të angazhohen përfituesit e asistencës sociale, të cilët janë të aftë për punë, duke i përfshirë në punë të rregullt, trajnime profesionale, masa aktive të tregut të punës, pa ndërprerje nga asistenca edhe për një periudhë të caktuar kohore.
“Në ligjin e ri të skemës së ndihmës sociale nuk do të ketë filtra përjashtues për familjet e varfra siç janë në ligjin aktual. Numri i personave që do të përfitojnë nga Skema e Ndihmës Sociale do të rritet nga 106,416 në 167,766 persona apo nga 24,000 familje në mbi 27,000 familje, për shkak të rritjes së proporcionit të familjeve më të mëdha si përfituese të SNS, me heqjen e filtrave në bazë të kategorive, ndërkaq numri i fëmijëve deri në moshën 18 vjeç të cilët përfitojnë shtesa do të jetë rreth 70,000 fëmijë.
Konceptdokumenti për Skemën e Ndihmës Sociale do të jetë në konsultim publik 15 ditë në platformën elektronike të MPMS.