Përgjatë dy javëve rresht, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, me qëllim të promovimit të aftësimit dhe riaftësimit profesional, ka vizituar shtatë Qendrat e Aftësimit Profesional (QAP), në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë dhe Pejë.
Gjatë vizitave në këto qendra aftësuese, ministri Reçica takoi shumë kandidatë, të rinj dhe të reja, madje disa me studime universitare dhe pasuniversitare të përfunduara, të cilët kanë ndjekur dhe po ndjekin kurse të aftësimit në profesione të ndryshme.
Reçica gjithashtu takoi edhe shumë të certifikuar që kishin kryer aftësim në fusha si rrobaqepësi, zdrukthuari, floktari, dizajn grafik, të cilët falë kurseve të aftësimit që kishin ndjekur paraprakisht në QAP-a, kanë arritur të gjejnë punë apo të hapin bizneset e tyre.
Nga përfaqësuesit e qendrave, ministri u njoftua se shumica e të certifikuarve, arrijnë të bëhen pjesë e tregut të punës madje dhe të punësojnë të tjerë në bizneset që ata hapin.
Ministri, në fund të vizitave tha se ajo çfarë ka arritur të shoh këto ditë është përkushtimi i personelit trajnues të qendrave për të aftësuar kandidatët e interesuar, si dhe vullneti i shumë të rinjve dhe të rejave për të ndjekur kurse aftësimi pranë qendrave përkatëse.
“Kemi zhvilluar një javë të promovimit të aftësimit profesional duke vizituar shtatë qendrat e aftësimit profesional në komunat e Republikës së Kosovës. Pata fatin të takojë të rinj dhe të reja, me aftësime dhe madje me kualifikime universitare dhe pasuniversitare, të etur për të zënë dije dhe njohuri. Takova gjithashtu të rinj dhe të reja të cilët pas trajnimeve që kanë bërë në këto qendra të aftësimit profesional kanë treguar suksese, duke hapur bizneset e tyre madje edhe duke punësuar të tjerë në këto biznese”, tha Reçica.
Ministri u bëri thirrje të gjithë të rinjve, kandidatëve potencial dhe të papunëve që të regjistrohen pranë Zyrave të Punësimit në komunat e Kosovës dhe të paraqiten pranë Qendrave të Aftësimit Profesional, si një mundësi e jashtëzakonshme për tu aftësuar në profile të ndryshme dhe të bëhen pjesë e tregut të punës.
Në shtatë qendrat e aftësimit profesional janë gjithsejtë 60 punëtori dhe 30 profile të certifikuara. Në periudhën shtator 2017 – mars 2018, në shtatë Qendrat e Aftësimit Profesional (QAP), trajnime kanë ndjekur gjithsej 3 519 kandidatë ndërkaq janë certifikuar 2 432 prej tyre.
Përgjatë të njëjtës periudhë në të gjitha Zyrat e Punësimit në nivel vendi janë regjistruar 10 433 punëkërkues të rinj. Në punësim të rregullt janë përfshirë 2 346 persona ndërkaq në masat aktive të tregut të punës janë përfshirë 1 466 persona.