Ministri i MPMS-së, z. Nenad Rasiq, në ambientet e kësaj ministrie, ka pritur në një takim sekretarin e përhershëm te Ministrisë për Punë dhe Çështje Sociale në Republikën Federale të Gjermanisë, z. Jorg Asmussen, i cili shoqërohej edhe nga ambasadorja gjermane në Prishtinë, znj. Angelika Viets. Fillimisht Ministri Rasic shprehu falënderimin për shtetin gjerman për mbështetjen dhe përkrahjen e tyre për Republikën e Kosovës. Delegacioni gjerman u informua nga ministri Nenad Rasic për gjendjen e përgjithshme sociale në vend, veçanërisht për çështjen e papunësisë së të rinjve, mundësitë dhe kushtet e arsimimit të tyre kundrejt kërkesave të tregut të punës në Kosovë si dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi në çështjen e punësimit të të rinjve. Ministri Nenad Rasic duke folur për mbështetjen dhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, potencoi në mënyrë të veçantë përkrahjen e shtetit gjerman ku që nga viti 2004 përmes bashkëpunimit të MPMS me MKRS dhe Agjensionin Federal Gjerman të Punësimit, respektivisht me Qendrën e saj për Shërbime Ndërmjetësuese në Punësim, kanë realizuar projektin për punësimin sezonal të studentëve nga Kosova në Gjermani. Sekretari i Përhershëm i Ministrisë për Punë dhe Çështje Sociale në Republikën Federale të Gjermanisë, Jörg Asmussen, premtoi angazhimin përmes Giz të dy eksperteve, si ndërlidhje për zhvillimin e politikave të punësimit dhe si lidhje direkt në mes të Agjensionit të Punësimit në Kosovë ( i cili do te filloj me 1 janar 2015 ) dhe Agjensionit Federal të Punësimit në Gjermani. Qëllimi i koordinimit të këtyre dy agjensioneve është që të krijohen kushtet më të favorshme për vazhdimin dhe zgjerimin e projekteve siç është projekti i punësimit sezonal të studentëve në Gjermani, për të cilin ekziston interesim i madh i të rinjve kosovar. GIZ si deri më tani, do të ketë rol kyç në ndërlidhjen e planeve strategjike për zbatueshmërinë në përpikshmëri të projekteve.
Sekretari i Përhershëm i Ministrisë për Punë dhe Çështje Sociale në Republikën Federale të Gjermanisë, Jörg Asmussen,falënderoi Ministrin Nenad Rasic për mikpritjen dhe shprehu gatishmërinë e shtetit gjerman për të vazhduar përkrahjen dhe bashkëpunimin në fushat e nevojshme sociale të Kosovës.