30 familje te kategorive te luftës bëhen me shtëpi

Pas përurimit të fazës së parë të ndërtimit të 30 shtëpive për kategoritë e pjesëtarëve të UÇK-së, në qershor të këtij viti, sot solemnisht është bërë dorëzimi i çelësave edhe për 30 familje të tjera të kësaj kategorie në ish-lagjen e Kuvajtit në Podujevë.

Në prani të përfituesve nga ky projekt, të qytetarëve të tjerë dhe të strukturave udhëheqëse të Komunës së Podujevës, zv/ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Fatmir Shurdhaj ka thënë se ndjehet tejet i kënaqur që sot po realizohet edhe kjo fazë e këtij projekti e ku strehë po gjejnë edhe 30 familje të kategorive të dala nga lufta. “Sot, edhe një herë po dëshmohet përkushtimi dhe angazhimi permanent i Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’iu siguruar strehë dhe kushte sa më të mira jetese të gjitha kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, por edhe të rasteve tjera sociale. Ndjehem krenar që ky projekt po realizohet me sukses e do të vazhdoj suksesshëm besoj edhe në të ardhmen”, ka thënë z. Shurdhaj.

Ndërtimi i këtyre shtëpive është projekt i MPMS-së, i realizuar konform një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar në mes MPMS dhe Komunës së Podujevës në vitin e kaluar, ku MPMS-ja ka ndarë mjete në vlerë prej 420 mijë eurove.