Ministri i MPMS-së z. Skender Reçica mori pjesë në Kongresin e VII të BSPK-së

Ministri i MPMS, Skënder Reçica mori sot pjesë në Kongresin e VII të BSPK-së, i cili me një fjalë rasti iu drejtua të pranishmëve. Në vazhdim keni fjalën e plotë të ministrit Reçica drejtuar pjesëmarrësve të këtij kongresi:

Kongresistë të nderuar, Sindikata të nderuara, Nikoqir i nderuar, faleminderit për ftesën.
Ndihem i nderuar, që në fillet e detyrës sime, jam mysafir i botës së madhe sindikale, asaj fuqie, e cila qytetërimin e ka mësuar në rregulla, punëtorin e ka bërë më të dinjitetshëm dhe qeveritë më të përgjegjshme, ekonominë më të shëndoshë dhe shoqërinë më humane.

Sot, Ju po mbani kongresin tuaj të shtatë dhe po shtoni forcen tuaj me bashkimin që do u’a ndrrojë si fizionominë po ashtu edhe peshën tuaj në vazhdën e misionit të madh që keni.
Kosova si shoqëri e re, e dalur nga kthetrat pushtuese, ka shumë punë para vetes, ka shumë detyrime ndaj shoqërisë andaj dhe po angazhohemi që kuadri ligjor të bëhet jo vetem shpejtë, por edhe i mirë. Ky kuadër ligjor në fushën tonë nuk mund të bëhet as i mirë e as shpejt pa ndihmën edhe të sindikatave, të cilat përbëjnë edhe grupin më të madh të interesit.

Bashkimi juaj është njëra ndër dhuratat më të mira për mua si Ministër i punës dhe mirëqenjes sociale, sepse duke u bashkuar ju rritni peshën tuaj dhe bëheni partner edhe më i mirë i dikasterit që unë po drejtoj.
Është në natyrën e mardhënieve Qeveri – Sindikata harmonizimi dhe bashkëprojektimi i veprimeve për t’i bërë kushtet e punës më të mira dhe tregun e punës më premtues.
Të drejtat e punëtorëve duhet të na udhëheqin të dyja palëve drejt një suksesi të përbashkët. Kosova ka ecur përpara dhe ne sot kemi Kontratën Kolektive e cila duhet të pasohet edhe me të drejta në sektorë ku nuk mbulohen akoma nga mbikëqyerja.

Tregu privat i punës ka shumë për t’u harmonizuar e plotësuar. Ai duhet të dalë nga informaliteti i lartë që e karakterizon. Sindikatat kanë shumë për të bërë në atë drejtim. Ne duhet t’i gjejmë rrugët për ta integruar këtë masë të madhe.
Standardet në punë, janë kyqi i nivelit zhvillimor të shoqërisë, dhe ai sektor nuk do i rrisë ato derisa sindikatat të mos përfshihen atje me degëzimet e veta.
Kjo duket një punë e vështirë por jo e paarritshme.

Ju Sindikalistë të nderuar gëzoni respektin e qeverisë së vendit për misionin tuaj fisnik dhe për kujdesin që treguat atëherë kur kaluam nëpër disa ngërqe ku mund të futej vendi nga pamundësitë buxhetore. Ju nuk i’u nënshtruat interesit të ngushtë dhe masat e gjera punëtore që ju përfaqësoni e në raste të tilla edhe i drejtoni, ju kuptuan Ju dhe përmes jush kuptuan edhe shtetin tonë të ri.

Kongresi juaj është pëveçse një kongres pune dhe uniteti për fatin e bashkimit tuaj, është edhe një thirrje përgjegjësisë sonë, të dikasterit, dhe gjithë qeverisë për të mbajtur vëmendjen e përqëndruar tek detyrat që kemi për të prodhuar ligje të mira dhe për ti vënë në jetë ato.
Uroj të dilni me vendime të mira nga ky Kongres dhe drejtuesit që ju do i zgjedhni i mirëpresim për bashkëpunim sepse ndërvarësia jonë e plotëson njëra tjetrën.

Urime Kongresi
Urime Bashkimi juaj
Punë të mbarë