Ministri Abrashi përkrah komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë

Prishtinë, më 20 shtator 2016

Në vazhdën e përkrahjes së vazhdueshme për komunitetet dhe në bashkëpunim me deputetë, përfaqësues të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi, lansoi projektin skema e trajnimit në punë.
Në parapërgatitje të këtij projekti, ministri Abrashi i shoqëruar nga  zvm. Qazim Rrahmani, pati një seri të takimeve me deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e komuniteteve, z. Danush Ademi, z. Kujtim Paçaku dhe z. Etem Arifi. Në këto takime, deputetët falënderuan ministrin për këtë iniciativë, si dhe ofruan përkrahjen e tyre të pa rezervë në këtë projekt, si dhe në përfshirjen sa më të madhe në projekte të ngjashme të pjesëtarëve të komuniteteve.
Projekti në fjalë do të përfshijë 90 punëkërkues pjesëtarë të komuniteteve të lartpërmendura, me kohëzgjatje prej 3 muajsh, ku shuma e kompensimit për praktiken në punë përfshinë vlerën prej 150 euro. Kjo shumë parashihet të mbulojë shpenzimet e udhëtimit dhe ushqimit, përderisa kandidatët përfitues, pjesëtarë të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptas, duhet të jenë punëkërkues të regjistruar në Zyrat e Punësimit.
Edhe në këtë rast, ministri Abrashi falënderoi deputetët përfaqësues të komuniteteve për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre në përkrahje të punës së tij dhe të ekzekutivit, ndërsa ftoi përfaqësuesit e komuniteteve që t’i kontribuojnë zhvillimeve që inkurajojnë pjesëmarrjen më të madhe të qytetarëve, pjesëtarë të komuniteteve, në tregun e punës.

Aplikimi për këtë skemë është i hapur nga data 16 deri më 23 shtator 2016.