Prishtinë, më 08 korrik 2016
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z.Arban Abrashi, sot ndau certifikata me licencë ndërkombëtare për 52 elektrosaldues, puna e të cilëve i shërben fuqizimit të sektorit të përpunimit të metalit në Kosovë.
Abrashi u shpreh se ndjehet shumë i kënaqur për përkrahjen e këtij projekti, meqë përfitues të drejtpërdrejt janë punëtorët, si edhe kompanitë që punësojnë këta profesionistë. “Trajnimi dhe certifikimi i profesionistëve të kësaj fushe, tregon se ne kemi një qasje të avancuar ndaj tregut të punës, dhe kjo ka të bëjë me faktin se ne po ndërtojmë kapacitete aftësimi dhe trajnimi, që do t’i shërbejnë jo vetëm tregut vendor të punës, por edhe atij jashtë vendit. Ky certifikim dëshmon se kompanitë tona do të jenë më konkurrente, gjë që nënkupton se kompanitë tona do të ngriten në nivel të njëjtë me kompanitë e ngjashme në vendet e BE-së, dhe rrjedhimisht do ta kenë më lehtë t’i qasen projekteve në BE dhe tregje tjera të punës apo biznesit”, ka thënë Abrashi.
Ministri Abrashi theksoi se Ministria e Punës do të vazhdojë të përkrah projekte të tilla edhe në të ardhmen.
Trajnimi i punëtorëve është bërë me bashkëpunimin e Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës dhe Fondacioni Kosovë Luksemburg, ndërsa certifikimi është kryer nga kompania e njohur gjermane “TUV NORD” (Bullgari).