Me një pjesëmarrje të kompletuar të partnerëve social, është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Ekonomiko-social, i udhëhequr tanimë nga kryesuesi i ri i këtij organi dhe njëherit ministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi i cili ka hapur këtë takim dhe ka premtuar se mandati që do të udhëheqë ai do të sjellë energji të reja dhe viti 2015 do ta gjej këtë këshill me një avancim më të lartë të dialogut social.
“Besoj se ky mandat do të sjell energji të reja në avancimin e dialogut social dhe si sfida që kam vërejtur në këtë drejtim do të jetë rishqyrtimi në tërësi i Ligjit mbi KES-in si dhe çështja e buxhetit të këtij organi”, ka shtuar z. Abrashi.
Ky këshill siç e dimë është organ i lartë këshillëdhënës i caktuar në bazë të një vendimi të Qeverisë së Kosovë me përfaqësim të organizatave të punëdhënësve dhe të punëmarrësve, ku për qëllim ka debatin e mirëfilltë dhe këshillimin e institucioneve të Republikës së Kosovës mbi zhvillimin e çështjeve të politikës socio-ekonomike në vend, në veçanti marrëdhënien e punës, mirëqenien sociale, ligjet që dalin nga Kuvendi i Kosovës dhe zbatimi i drejtë i tyre, përcaktimin e pagës minimale e shumë çështje tjera të natyrave socio-ekonomike.
Përfaqësuesi i BSPK-së z. Haxhi Arifi, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se deri më tani bashkëpunimi në mes anëtarëve të KES-it ka qenë në nivel të kënqshëm dhe si i tillë do të vazhdoj të jetë edhe më tutje në adresimin e çështjeve dhe problemeve socio-ekonomike në vend.
Gjatë takimit ministri Abrashi nuk ka hezituar të flas për punën e palodhshme dhe devotshmërin e dy anëtarëve më meritor në këtë këshill duke i dhuruar kështu edhe mirënjohje familjes së të ndjerit z. Fadil Racaj-ish anëtarë i këtij këshilli dhe drejtor i Departamentit Ligjor në MPMS- dhe me rastin e pensionimit të znj. Zineta Daci, ish-kryetare e Odës Ekonomike të Kosovës e cila u vlerësua për punën profesionale dhe të palodhshme të saj.
Në takim përveq përfaqësuesve të organizatave të punëmarrësve dhe punëdhënësve, të pranishëm ishin edhe ministri i Financave z. Avdullah Hoti, ministri i MASHT-it z. Arsim Bajrami, MTI znj. Hykmete Bajrami dhe MSH z. Imet Rrahmani.