Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka vizituar sot Shoqatën “Down Syndrome Kosova” në Prishtinë, me ç’rast ka nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit në mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe shoqatës “Down Syndrome Kosova” lidhur me zhvillimin e trajnimeve profesionale për të rinjtë me sindromën Down. Këto trajnime do mbahen në tri qendrat më të mëdha të aftësimit profesional në Kosovë, Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë.
Me këtë rast, ministri Reçica tha se tanimë me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, përmes qendrave të aftësimeve profesionale në këto tri komuna të Kosovës, të rinjëve të shoqatës “Down Syndrome Kosova”, do t’u krijohen mundësi për trajnime profesionale e më pastaj edhe punësime për nevojat e kësaj kategorie në shoqërinë tonë.
Z. Reçica më tej shtoi se i gjithë ky angazhim ka për qëllim dhënien e mesazhit dhe mundësinë e barabartë në shoqëri, duke i respektuar plotësisht të drejtat dhe diverzitetin e njeriut, në mënyrë që të kontribuohet në përmirësimin e standardit të jetës dhe zhvillimin në përgjithësi të personave me sindromën “Down” si dhe fuqizimin e familjeve të tyre.
“Është një hap moral, dhe marrëveshjen që sapo e nënshkruam me shoqatën “Down Syndrome Kosova”, ka të bëj me mundësinë e përkrahjes, që ne si MPMS po ofrojmë nëpërmjet qendrave të aftësimeve profesionale ku përmes trajnimit profesionale tu krijohen mundësit e punësimit”, shtoi z. Reçica.
Ndërkaq, Drejtoresha e kësaj shoqate znj. Sebahate Hajdini – Beqiri, ka falenderuar ministri Reçica për vizitën që ai bëri në këtë shoqatë duke shprehur vullnetin dhe dëshirën që në të ardhmen të bashkëpunohet edhe më shumë në të mirë të kësaj kategorie të shoqërisë sonë.