Inspektorati i Punës raporton mbi të arriturat e vitit 2016 dhe planin e veprimit për vitin 2017

Në një konferencë të organizuar sot nga Inspektorati i Punës, në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është raportuar mbi gjendjen e punëtorëve në tërësi të sektorit publik dhe atij privat. Kryeinspektori i IP z. Basri Ibrahimi në raportimin e tij ka bërë publike inspektimet e vitit 2016 si dhe ka shpalosur planin e punës për vitin 2017. Ai është shprehur se përkundër progresit të arritur gjatë vitit 2016, ende gjendja e të drejtave të punëtorëve, përfshirë këtu respektimin e kontratave të punës, mospagesa me kohë, oraret e tejzgjatura ishin ndër të gjeturat kryesore, veçanarisht tek sektori privat.

Raporti flet për gjithsejtë 7285 inspektime që janë inspektuar dhe trajtuar gjatë gjithë vitit 2016 ku prej tyre 456 ishin inspektime të kërkuara nga vet punëtorët, 115 inspektime nga institucionet tjera ku prej tyre janë hasur 1300 punëtorë pa kontrata pune (kryesisht në sektorin privat), 9 raste të vdekjes së punëtorëve në vendin e punës si dhe 128 raste sa i përket shqiptimit të gjobave. Sipas kryeinspektorit Ibrahimi numëri i gjobave dhe i punëtorëve pa kontrata pune ka pësuar rënie krahasuar me vitin 2015 si rezultat i punës dhe inspektimit të vazhdueshme që u janë bërë kompanive të ndryshme por prap ai potencoi faktin se ende mbetet shqetësues dhe nje argument i fortë zhvillimi i fushatave inspektuese dhe vetëdijësuese këtë vit.

Gjatë konferencës për media u bë e ditur se tanimë kompanitë që posedojnë më shumë se 50 punëtorë në përputhje me ligjin do të jenë të obliguara të kenë një person të çertifikuar për siguri dhe shëndet në punë, persona këta që do t’i nënshtrohen çertifikimit në bazë të kritereve ligjore në mënyrë që të kemi një gjendje më të mirë sa i përket sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve.
Ndërkaq për planin e punës për vitin 2017, kryeinspektori i Inpsektoratit të Punës z. Basri Ibrahimi tha se në bazë të analizave në teren është vendosur të inspektohen më shumë ato lloje biznesesh ku është konsideruar që ka më pak respektim të të drejtave të punëtorëve siç janë: kompanitë e sigurimit fizik, kompanitë hoteliere, marketet e vogla, industria e përpunimit të drurit, furrat e bukës, sistemi privat shëndetësorë, arsimor si dhe kompanitë ndërtimore. Ai i ftoi mediat që nga data 15 shkurt e këtij viti që bashkërisht të fillojnë një fushatë inspektimi intenziv çdo muaj e cila fillimisht do të filloj me inspektimin e kompanive për sigurime fizike dhe do të pasoj me kompanitë tjera në vazhdim.

Ndërkaq ministri MPMS-së z. Arban Abrashi, i pranishëm në këtë konferencë ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë drejt fuqizimit të sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë, ku sipas tij shtroi si shqetësim edhe numrin e vogël të inspektorëve që po paraqet një mangësi të madhe në evidentimin e problemeve për të gjitha ato kompani që operojnë në Kosovë. Ai shtoi se do bëj përpjekje të vazhdueshëm me partnerë tjerë, përfshirë këtu edhe Fondin Monetarë Ndërkombëtarë që për këtë vit të rrisin numrin e inspektorëve.

Gjatë konferencës gjithashtu u shpalos platforma e re e informimit e Inspektoratit të Punës ku do plasohen të gjitha informatat që lidhen me mandatin e IP-së.

Websajti i ri tanimë është: www.ip.-rks-gov.net