Abrashi vizitoi Strehimoren Shtetërore për Strehimin e Viktimave të Trafikimit

Prishtinë, më 26.01.2017

Ministri Abrashi dhe z. Atsuki Takahashi vizituan Strehimoren Shtetërore për Strehimin e Viktimave të Trafikimit.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi dje dhe sot ka zhvilluar  takime pune me z. Atsuki Takahashi, zyrtar për monitorimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në takime Ministri Abrashi prezantoi angazhimet institucionale në ofrimin e shërbimeve ndaj viktimave të trafikimit dhe së bashku më z. Takahashi dhe zyrtarë tjerë të Ambasadës Amerikane në Kosovë, vizituan Strehimoren Shtetërore për Strehimin e Viktimave të Trafikimit, strehimore e cila strehon raste të trafikimit me nivel të mesëm dhe të lartë të rrezikshmërisë, si dhe viktima të trafikimit në cilësinë e dëshmitarit.

Ministri Abrashi gjithashtu njoftoi edhe me bashkëpunimin e Ministrisë me sektorin e shoqërisë civile, përmes së cilit ofrohen shërbime shtesë për këto kategori, veprimet e ndërmarra nga Ministria, sikurse licencimi i ofrueseve të shërbimeve sociale, ngritja e kapaciteteve dhe programet e ri-integrimit dhe qëndrueshmëria financiare.

z. Takahashi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, vlerësoi angazhimet e Ministrisë ndaj kësaj kategorie dhe u zotua në bashkëpunimin me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.