Me nismë të Ministrit Abrashi dhe përkrahje të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, sot u shpërndanë veshmbathje për rezidentët e Institutit Special të Shtimes, të cilat arritën të grumbullohen falë kontributit të shumë bizneseve dhe individëve. Me këtë rast, Ministri Abrashi theksoi rëndësinë e solidaritetit për drejtësi, mirëqenie dhe kohezion më të madh social. Abrashi shprehi mirënjohje të thellë për Odën Amerikane për përkrahje dhe konkretizim të kësaj nisme, si dhe falenderoi bizneset dhe komunitetin për kontributin e tyre.
Në anën tjetër, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane z.Arian Zeka shprehu përkrahjen për këtë aktivitet, duke ri-theksuar gatishërinë e institucionit që ai drejton që në vazhdimësi të ofrojë bashkëpunimin dhe mbështetjen e iniciativave të tilla. Ai gjithashtu falenderoi të gjitha bizneset, organizatat dhe individët që dhanë kontributin e tyre, duke përmendur në mesin e tyre: Limak, Finca, NLB Prishtina, YES Alumni Kosovo, IPKO, Asseco, AUK.
Ndërkaq, drejtuesit e Institucionit Special në Shtime, shprehën falenderimin dhe mirënjohjen e tyrë për këtë iniciativë, e cila ishte një ndër kërkesat më prioritare për të plotësuar nevojat e rezidentëve përkatës, të cilët njëherit konsiderohen ndër kategoritë më të ndjeshme dhe më në nevojë të shoqërisë sonë.
Gjatë këtij aktiviteti që u zhvillua sot, Ministri Abrashi dhe z. Zeka vizituan edhe punëtorët e këtij institucioni, duke u njoftuar për së afërmi edhe me kushtet në të cilat punojnë dhe vështirësitë me të cilat ata përballen.