Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Rotary Club, mbështetur edhe nga Tre Farm, Swis Diamond, Alb Qeramika sot fillon inauguruan renovimin e hapësirave ku veprojnë pensionistët, respektivisht Lidhja e Pensionistëve të Kosovës. Përurimin e fillimit të këtyre punimeve e ka bërë ministri i MPMS-së z. Arban Abrashi, Agensa Vuthaj- Presidente e Rotary Club dhe përfaqësues të Lidhjes së Pensionistëve.
Ky projekt i cili kap vlerën prej 16 mijë euro do të përmirësojë kushtet dhe shërbimet për pensionistët që kalojnë kohën aty, duke bërë të mundur kështu që pensionistët të kenë hapësira të mjaftueshme për punë dhe aktivitetet e tyre.
Ministri Abrashi gjatë përurimit ka falënderuar në veçanti iniciativën e ardhur nga Rotary Club dhe është shprehur se ky projekt do t’i plotësojë kushtet për pensionistët dhe njëkohësisht premtoi se në të ardhmen do të angazhohet maksimalisht që kësaj kategorie t’i ofrojë edhe shërbime mjekësore. “Ne do të vazhdojmë me përkrahje për këtë kategori, sepse ne e dimë rolin dhe kontributin që këta pensionistë kanë dhënë në shtetndërtimin e Kosovës. Ne nuk do të ndalemi vetëm me këtë projekt, por do të mundohemi që këtu të ofrojmë edhe shërbime mjekësore”, ka shtuar më tej Abrashi.
Ndërkaq nga Rotary Club, Agnesa Vuthaj ka falenderuar të gjithë akterët që ndihmuan në realizimin e këtij projekti dhe tha se ky bashkëpunim me MPMS-në do të vazhdojë edhe më tej, duke parë mundësi tjera se ku mund të bashkëpunohet për ato probleme që janë primare.
Pensionistët e mirëpritën këtë iniciativë duke e cilësuar si projekt shumë të suksesshëm pasi që zgjerimi i hapësirave egzistuese, sipas tyre është i domosdoshëm.
Punimet në renovimin e ambineteve dhe zyrave të pensionistëve do të përfundojnë afërsisht nga 45 deri 60 ditë.