Ministri Abrashi, vizitoi Qendrën për Kujdesin e Nënës dhe Fëmijës për festën e 8 Marsit

Prishtinë, më 08 mars 2016

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, me rastin e festës së nënave, 8 Marsin, vizitoi Qendrën për Kujdesin ndaj Nënës dhe Fëmijës në Prishtinë, ku u takua me udhëheqësen e kësaj Qendre, Flora Brovina, udhëheqëset e programeve si dhe personelin që përkujdeset dhe menaxhon këtë institucion.

Zonja Brovina së bashku udhëheqëset e programeve, njoftuan Ministrin Abrashi me kushtet e vështira me të cilat ballafaqohet kjo Qendër.

Në shenjë feste për 8 Marsin, si respekti për Ministrin Abrashi dhe punën që po bënë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, fëmijët nën përkujdesje të kësaj Qendre, ofruan një shfaqje të pasur artistike. Në shfaqjen e tyre, fëmijët evokuan kujtime nga e kaluara e vendit, veçmas momente të rënda historike të cilat kanë prekur jetën individuale dhe familjare të tyre.

Me këtë rast, Abrashi i falënderoi për pritjen dhe u zotua se do të shqyrtohen mundësitë për të ofruar përkrahje nga MPMS, për stafin e Qendrës, po ashtu edhe për statusin, si dhe personat që trajton kjo qendër rehabilituese.

Ministri Abrashi, i informoi ata për procesin që është në përfundim e sipër për kompensimin e viktimave të dhunuara të luftës. “Përgatitjet teknike dhe ligjore janë në fazën e fundit dhe brenda një kohe të shkurtër do të fillojmë me pranimin e aplikacioneve të para, për rehabilitimin e kësaj katgegorie shumë të përvuajtur në luftën e fundit në Kosovë”, siguroi Abrashi.