Komuna e Bursës nga Turqia ndihmon MPMS-në me trajnime dhe pajisje të avancuara

Bursë, më 14 mars 2016

Me ftesë të kryetarit të komunës metropolitane të Bursës z. Recep Altepe, ministri i MPMS-së z. Arban Abrashi, po qëndron në një vizitë zyrtare në Bursa të Turqisë. Me këtë rast ministri Abrashi dhe kryetari Altepe nënshkruan një Memorandum të Mirëkuptimit, përmes të cilit Komuna e Bursës përkatësisht Qendra e Arteve dhe Aftësimeve Profesionale, Busmek, zotohet se do t’i ndihmojë Qendrat e Aftësimeve Profesionale të Kosovës në zgjerimin dhe modernizimin e kapaciteteve të trajnimit në profile të ndryshme. Këto Qendra do të pajisen me makina të rrobaqepësisë dhe pajisje tjera të avancuara, ngritjen profesionale të trajnerëve, trajnimin e kandidatëve në profile specifike në Turqi, mbështetje në zhvillim të kurrikulës, mbështetje në arritjen e standardeve dhe licencimin e kualifikimeve. Po ashtu ky memorandum përfshin mbështetje individuale dhe grupore të kandidatëve të certifikuar që kanë ide biznesi për integrimin e tyre në tregun e punës.

Ministri Abrashi duke  falënderuar Komunën e Bursës si dhe Shoqatën “Kosova dhe Shkupi”, shprehu bindjen se një marrëveshje e tillë është e mirëseardhur për të sjellë përvojat e aftësimeve profesionale turke në Kosovë, si parakusht i zhvillimit ekonomik.