Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, priti sot drejtoreshën ekzekutive të Forumit për Iniciativa Qytetare, znj. Dajana Berisha. Në këtë takim u bisedua për mënyrat dhe fushat e bashkëpunimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale më shoqërinë civile.
Zëvendësministri Dukolli tha se bashkëpunimi i MPMS-së do të jetë gjithmonë i hapur me shoqërinë civile, dhe në këtë fazë që po kalon vendi ynë, shoqërinë civile nuk e shohim si oponente, por si një aleat të fuqishëm në rrugëtimin tonë për të krijuar një mirëqenie sa më të dinjitetshme për qytetarët. “Ndihma e shoqërisë civile për ne është e mirëseardhur në çdo moment dhe ne do të jemi të gatshëm në konkretizimin e këtij bashkëpunimi, në veçanti me projektet për ndërmarrësi që ndihmojnë punësimin e qëndrueshëm të të rinjve”, tha Dukolli.
Drejtoresha Ekzekutive e FIQ, znj Berisha, falënderoi zëvendësministrin për gatishmërinë e bashkëpunimit dhe në këtë front, shoqëria civile do të vazhdojë të japë kontributin e saj në afirmimin dhe përkrahjen e ideve të reja për ndërmarrësit e rinj, trajnimin dhe mentorimin e tyre. “Prioriteti ynë i përbashkët është punësimi i të rinjve dhe grave, ndërsa projektet tona do të fokusohen edhe më tutje në sektorin e energjisë, bujqësisë dhe ambientit”, tha drejtoresha Forumit për Iniciativa Qytetare, Dajana Berisha.
MPMS në partneritet me shoqërinë civile dhe donatorët, edhe në të kaluarën kanë realizuar projekte të suksesshme, të cilat kanë kontribuuar ndjeshëm në uljen e papunësisë.