Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në koordinim dhe mbështetje të ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe me KK të Mitrovicës kanë shpërndarë sot pako ushqimore për rastet më të rënda sociale të komunës së Mitrovicës.
Ministri i MPMS-së, z. Arban Abrashi, gjatë qëndrimit në Mitrovicë fillimisht është takuar me strukturat komunale të kësaj komune ku është shprehur se për këto pako ushqimore është përzgjedhur Mitrovica për shkak të specifikave që ka dhe ka premtuar mbështetje në të ardhmen, sidomos në sferën e punësimit përmes projekteve që do të zhvillon MPMS-ja në partneritet me donatorët potencialë.
Më pas, së bashku me përfaqësues të ambasadës së EBA dhe të përfaqësuesve të Drejtorisë Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, z. Abrashi ka shpërndarë pakot ushqimore për familjet që janë përzgjedhur nga QPS-ja e këtushme, në koordinim me drejtorinë e lartpërmendur dhe me departamentin gjegjës të MPMS.