Zv/ministrja e MPMS, Rita Hajzeraj-Beqaj dhe zv/ministri i MBPZhR, Vezir Januzi, vizituan Gjilanin

Gjatë pritjes që kryetari i Gjilanit, z. Lutfi Haziri organizoi për përfaqësuesit e këtyre dikastereve i ka falënderuar për vizitën dhe për angazhimin e tyre për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të Gjilanit, qoftë në punësim apo në programe bujqësore.

“Zëvendësministrat Hajzeraj-Beqaj e Januzi me këtë vizitë i kanë respektuar qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës, duke vendosur në plan dy çështje themelore, atë të zbutjes së papunësisë përmes programeve që ka Ministria e Punës e që janë atraktive edhe për ne edhe për njerëzit që mund të përfitojnë në të ardhmen. Me zëvendësministrin e Bujqësisë kemi diskutuar rreth subvencioneve të bujqësisë, programeve të bujqësisë, ruajtjes së tokës bujqësore dhe ruajtjes së pyjeve si angazhime që do t’i ndërmarrim së bashku me institucionet e qeverisë”, ka thënë pas takimit kryetari Lutfi Haziri.

Nga ana e saj, zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj-Beqaj, tha se me programet e këtij dikasteri do të ndikojnë në zbutjen e papunësisë në Gjilan.

“Gjatë bisedës me kryetarin Haziri, ne treguam për projektet tona të cilat parashihen në të ardhmen në regjionin e Anamoravës, konkretisht për Komunën e Gjilanit. Kemi shumë projekte e programe, të cilat do të ndihmojnë në zbutjen e papunësisë. Poashtu, një bashkëpunim tjetër me shtetet evropiane dhe po presim t’i lidhim disa marrëveshje për punësimin e të rinjve, e njerëzve të profileve të caktuara, por që shtetet tjera kanë një kuadër deficitar në shtetet e tyre”, është shprehur zëvendësministrja Hajzeraj.

Zvëndësministrat Hajzeraj-Beqaj, e Januzi kanë vizituar edhe drejtorinë e Bujqësisë, Qendrën për Punë Sociale dhe institucione të tjera në Gjilan.