MPMS lanson sot fushatën vetëdijësuese, “Siguria dhe shëndeti në punë mbi të gjitha”, që ka për qëllim parandalimin e rrezikut dhe aksidenteve në vendin e punës.
Me këtë rast, ministri i MPMS-së, Skender Reçica, ka vizituar kompanitë e ndërtimeve, Agro Trade-Fidola Construction dhe Dreni Sh.p.k, ku ka takuar punëtorët dhe pronarët e kompanive në fjalë dhe ka bashkëbiseduar rreth rëndësisë së zbatimit të legjislacionit në fuqi, si parakusht për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Pronarët e kompanive dhe punëtorët falënderuan ministrin për vizitën dhe interesimin që po tregon për përmirësimin e kushteve të punëtorëve dhe rritjes së sigurisë në vendin e punës.
“Dje filluam projektin e punësimit të qytetarëve të cilët gëzojnë asistencë sociale, ndërsa sot po fillojmë një fushatë që ka të bëjë me sigurinë dhe shëndetin e punonjësve ne vendet e punës. Siguria, shëndeti dhe marrëdhënia e rregullt e punës janë standarde që duhet respektuar”, ka thënë ministri Reçica.
Ministri tha se MPMS ka miratuar një sërë rregulloresh në harmoni me direktivat e BE-së, dhe tash po angazhohet fort në zbatimin e tyre, si dhe ftoi të gjithë bizneset dhe punëmarrësit që të zbatojnë legjislacionin në fuqi. “Nuk do të reshtim deri sa punëtori ynë të ketë siguri dhe shëndet në punë. Do të jemi të pa kompromis ndaj të gjithë atyre të cilët nuk zbatojnë standardet e përcaktuara sipas legjislacionit për siguri dhe shëndet në punë”, tha ministri Reçica.