Tiranë, më 27 tetor 2020
Ministri Reçica sot mori pjesë në takimin ministror të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për integrimin e romëve në shoqëri, në kuadër të procesit të Berlinit, që këtë radhë po organizohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, me mbështetje të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Ky takim ministror ishte një mundësi e mirë për të vënë në pah gjithë angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në funksion të zbatimit të Deklaratës së Partnerëve të Ballkanit Perëndimor për Integrimin e Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve në shoqëritë e vendeve tona.
Reçica njoftoi pjesëmarrësit e këtij takimi ministror për hapat konkret që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatim të Deklaratës së Partnerëve të Ballkanit Perëndimor për Integrimin e Romëve, konkretisht për themelimin e Grupit Teknik për Mbrojtjen nga Diskriminimi të Komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptianë, që është edhe përgjegjëse për të zbatuar përgjegjësitë që dalin nga Deklarata e Partnerëve të Ballkanit Perëndimor për Integrimin e Romëve, në kuadër të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“Ne si shoqëri jemi përgjegjës për të përfshirë komunitetet në sistemin e edukimit dhe arsimit profesional, me qëllim që të kenë më pas qasje në tregun e punës”, tha ministri Reçica dhe vazhdoi se sa i përket integrimit në punësim, tashmë është evidente se Kosova po ballafaqohet me papunësi të lartë. “Këtë situatë e ka vështirësuar edhe më tej pandemia Covid-19”, tha ai.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjithashtu me programet saj të Masave Aktive të Tregut të Punës, me të cilat ka filluar tashmë, këtë vit, në mënyrë proporcionale do të jenë të përfshirë të gjitha komunitetet dhe atë në komunat e tyre: në arsim profesional, punë publike, praktikë në punë etj. “Me këtë rast u bëj thirrje pjesëtarëve të komunitetit Romë, Ashkali, Egjiptianë që të regjistrohen në zyrat e punësimit, me qëllim të shfrytëzimit të shërbimeve publike të punësim, me ç’ rast do të përfitojnë nga masat aktive të tregut të punës të ofruara nga ne”, u shpreh ministri Reçica.
Ai, gjithashtu potencoi se gjatë vitit 2019 dhe 2020 Qeveria e Kosovës ka mbështetur komunitetet Romë, Ashkali, Egjiptianë në ndërtimin e shtëpive, ku janë në ndërtim e sipër rreth 170 shtëpi dhe projekte të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim që secili qytetar të ketë strehë mbi kokë.
Me qëllim të rritjes së mirëqenies së qytetarëve, Qeveria e Kosovës ka miratuar Konceptdokumentin për Asistencën Sociale, si program i vetëm i mbrojtjes sociale në vend dhe me këtë rast do të përfitojnë komuniteti romë, ashkali, egjiptianë, sepse ju ofron atyre më shumë mbrojtje sociale dhe nuk lejon diskriminim me kriteret e përfitimit.
Në fund të fjalës së tij z. Reçica tha se është domosdoshmëri e kohës që të kemi një përkushtim të madh si regjion, në mënyrë që të bëjmë më të mirën për integrimin e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor.