Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ishte sot në hapje të Panairit të Punës në Prizren, event ky i përbashkët i MPMS-së me Komunën e Prizrenit dhe GIZ-in gjerman. Ministri Reçica, gjatë fjalës së tij tha se ky panair synon të krijojë dhe ofrojë vende të reja të punës dhe të sjellë më afër punëdhënësit dhe punëmarrësit, për të mundësuar krijimin e kontakteve të ndërsjella.
“MPMS ka mision përkrahjen e krijimit të vendeve të reja të punës, uljen e papunësisë, aftësimin profesional dhe orientimin në karrierë të të rinjve, të garantojë të drejtat dhe obligimet e punëdhënësve dhe punëmarrësve, për çka ne tashmë kemi ndërmarrë disa veprime, posaçërisht nëpërmjet reformave për përmirësim dhe avancim të infrastrukturës ligjore”, tha Ministri.
Tutje, ministri Reçica tha se me ndryshimet e domosdoshme ligjore, po synojmë jo vetëm rritjen e punësimit, por mbi të gjitha, garantimin e të drejtave të punëtorëve.
“Në këtë pikë, unë dhe dikasteri që drejtoj do të jemi gardian i mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të punëtorëve dhe u bëj thirrje të gjithë punëdhënësve dhe bizneseve të respektojnë të drejtat e punëtorëve, të garantuara me legjislacionin në fuqi”, tha ministri.