Reçica mori pjesë në takimin e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike

Prishtinë, më 01 dhjetor 2020
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, sot mori pjesë në takimin e Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, ku është diskutuar lidhur me Rekomandimet e dala nga “Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, për vitin 2020.

Para Komisionit ministri Reçica theksoi se MPMS tashmë ka punuar shumë në infrastrukturën ligjore që rregullon marrëdhënien e punës. “Tashmë veç jemi dakorduar që të procedojmë sa më parë për aprovim në Parlament Projektligjin e ri të punës. Gjithashtu, miratimi në Parlament i Projektligjit për Inspektoratin e Punës, do të jetë një mekanizëm i fuqishëm që do të kontribuojë në rregullimin e marrëdhënies së punës.

Ndërkaq sa i përket Sigurisë dhe Shëndetit në punë, Reçica theksoi se është hartuar dhe miratuar Koncept dokumenti për avancimin e legjislacionit në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. “Kemi draftuar Strategjinë Ndërsektoriale për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe planin e veprimit, si dhe një sërë rregulloresh me direktiva të BE-së, mirëpo siç e potencon edhe raporti, gjithsesi sfidë mbetet zbatimi i tyre” ka thënë ai.

Lidhur me çështjen e Dialogut Social, Ministri Reçica, i cili njëherësh është edhe kryesues i Këshillit Ekonomik Social, ka shtuar se janë bërë përpjekje të mëdha për të fuqizuar dialogun social në vend dhe në këtë drejtim është në proces miratimi në Kuvendi i Projektligjit për Këshillin Ekonomik Social.

“Sa i përket strategjisë sektoriale të MPMS-së dhe Planit të punësimit të të rinjve ashtu siç u kërkua në raportin e progresit të Komisionit Evropian ne do të vazhdojmë të zbatojmë këtë strategji si dokument kryesor i politikave të MPMS-së. Ndërsa lidhur me punësimin në vend, Komisionin e njoftova se, tashmë jemi duke implementuar Masat Aktive të Tregut të Punës (MATP), si masa të cilat aktivizojnë punëkërkuesit në tregun e punës me masa si: praktikë në punë, punë publike, subvencionim në pagë si dhe grante për start up biznese, ku ne kemi futur si kriter që gjysma e përfituesve të jenë gra dhe të rinj”.

Ministri Reçica theksoi po ashtu se, edhe më tutje, problematikë në vete mbetet mospërputhshmëria e aftësive profesionale me nevojat e tregut të punës dhe për ketë duhet një koordinim ndërministror në mes MPMS, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.